DURRËS, 11 tetor 2014 – Pas prishjes me Kinën, me shtimin e vetizolimit, diktatori Enver Hoxha ndjehej i kërcënuar nga acarimi i marrëdhënieve me ish-Jugosllavinë, prandaj kërkonte rrugëdalje ekonomike, duke rregulluar paksa “pipëzat” me Italinë dhe Greqinë.

Nga një shënim (që po e riboton “Dyrrah”-u) në “Ditarin” e tij, më 30 maj 1981, katër vjet para se të vdiste, Enver Hoxha shkruante se i kishte rekomanduar kryeministrit Mehmet Shehu (1913-1981) të bisedohej me italianët për vendosjen e tragetit Durrës-Bari, që, po sipas diktatorit, e kishte propozuar vetë Roma.

Në fakt, u deshën mbi dy vjet bisedime midis dy vendeve përballë Adriatikut që të realizohej më 9 dhjetor 1983, me tragetin e linjës Durrës-Trieste dhe anasjelltas.

Kurse hapja e pikës kufitare të Kakavijës u realizua, pas 3 vjet e gjysmë, më 12 janar 1985, 4 muaj para vdekjes së Enver Hoxhës.

Këto gjeste të Tiranës tërhoqën vëmendjen e Perëndimit.

Dokumenti / Kundërvënie shantazheve tregtare të Beogradit

E shtunë 30 maj 1981

Duke marrë parasysh acarimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë, shovinistët jugosllavë do të na qitin njëmijë pengesa si në tregtinë që bëjmë me ta, ashtu edhe në mallrat tona transit që kalojnë nëpërmjet Jugosllavisë për në Austri e për në Evropën Qendrore. Që tani ata po na krijojnë një mijë pengesa artificiale me transportin automobilistik. Patatet verore që çojmë nëpërmjet Jugosllavisë po na prishen në Mal të Zi.

Për këto arsye u rekomandova shokëve të Qeverisë që të parashikojnë e të marrin sa më parë masat e nevojshme, si për shembull:

1. Të bisedohet me italianët për vendosjen e tragetit Durrës-Bari, gjë që e kanë propozuar vetë ata.

2. Të merret sa më parë vendimi për të ndërtuar linjën e tensionit të lartë Elbasan-Kapshticë, me qëllim që t’i shesim Greqisë energji elektrike. Grekët lusin për këtë.

3. Të parashikohet hapja e Kakavijës. Hapja e kësaj pike të kufirit ka kuptim të rëndësishëm politik dhe ekonomik.

Vendosja e tragetit me Italinë, shitja e energjisë elektrike Greqisë dhe hapja e Kakavijës, do t’u tregojnë shovinistëve jugosllavë se presionet dhe shantazhet e

tyre në tregti nuk pinë ujë te ne. Ata do të dëmtohen edhe në këtë fushë dhe nuk do të kenë më mundësi të propagandojnë rreth “favoreve” që na bëjnë duke na e “blerë energjinë elektrike, kromin” etj., artikuj këta kaq të kërkuar që ne i shesim jo ditën, por edhe natën, siç i thonë fjalës.

U rekomandova shokëve që kështu të veprojë tregtia jonë e jashtme edhe me prodhimet bujqësore.

Me hapjen e Kakavijës, Janina, Preveza, Arta dhe gjithë Epiri i Jugut, mund t’i blejnë prodhimet tona, se u venë më të lira.

(Marrë nga Enver Hoxha “Ditari”)

Info

PAS 2 VJETËSH TRAGETI

Më 22 tetor 1983 u nënshkrua në Tiranë, midis Qeverisë së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë, protokolli për vendosjen e shërbimit detar të linjës me traget për transportimin e kamionëve të mallrave, të mallrave e dërgesave postare midis portit të Durrësit dhe portit të Triestes.

Për palën shqiptare protokolli u nënshkrua nga zëvendësministri i Komunikacioneve Llambi Leka dhe për palën italiane nga ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Italisë në republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë Françesko K. Xhentile [Francesco C. Gentile].

Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë ministri i Komunikacioneve Luan Babameto dhe të tjerë.

Më 9 dhjetor 1983, u përurua fillimi i linjës së lundrimit detar me anijet traget Durrës-Trieste dhe anasjelltas. Me këtë rast ambasadori italian Françesko Karlo Xhentile shtroi një drekë.

Anija “Tiepolo” e shoqërisë shtetërore italiane “Adriatica navigazione”, do të prekte portin e Durrësit çdo 10 ditë, në orën 14.00.

Anija e drejtuar nga piloti Bujar Shedulla, u bregëzua në kalatën nr. 5, për herë të parë, më 8.11.1983.

Nga porti i Triestes anija u nis me 5 kamionë shqiptarë të parkut të eksportit dhe ngarkoi në portin e Durrësit 12 kamionë shqiptarë të këtij parku.

Për zbatimin e këtij protokolli u lidh një marrëveshje midis agjencisë detare “Adriatica” dhe agjencisë detare me qendër në Durrës.

PAS 4 VJETËSH KAKAVIJA

Më 12 janar 1985 u përurua pika e kufitare e Kakavijës, ku merrnin pjesë banorë të Dropullit dhe Gjirokastrës. Po ashtu merrnin pjese edhe banorë nga Greqia.

Për të marre pjesë, kishin ardhur nga pala shqiptare autoritete të larta të kohës si Niko Gjyzari, Vitori Çuri, Stefan Qirjako, Muhamet Kapllani, Pajtim Ajazi, Nedin Hoxha, Ksenofon Nushi e Dhimokrat Pallaska.

Ndërsa nga pala greke kishin ardhur Lefteri Verivaqis, Karlos Papuljas, Pafthanais Zakolikos. Në mitingun e organizuar me këtë rast folën ministrat e Jashtëm shqiptar dhe grek Muhamet Kapllani dhe Karlos Papulias.

Pas mitingut në të dy pikat kufitare u shtrua nga një koktej.

/përgatiti th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/