·      Me reliev identifikues, shenjat e gishtërinjve, përfshirë dhe çipin e sigurisë

·      Policia me  komisariat digjital, një automat që do të shërbejë si dritare komunikimi mes qytetarëve dhe institucioneve

DURRËS, 11 tetor 2014 –  Nga janari 2015 shqiptarët do të vihen sërish në radhë për karta të reja identiteti, kjo u bë e ditur në konferencën “Letërnjoftimi, siguria juaj për shërbime” nga Kryeministri Edi Rama.

Kartat e reja elektronike të identitetit, që do të jenë në duart e qytetarëve nga janari i vitit 2015, pritet të jenë me reliev identifikues, shenjat e gishtërinjve, përfshirë dhe çipin e sigurisë.  

Rama garantoi më 11 tetor 2014 në konferencën “Letërnjoftimi, siguria juaj për shërbime” se digjitalizimi së shpejti do të prekë çdo sektor dhe kjo gjë do të nisë me digjitalizimin e pronës. 

Kurse Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri paralajmëroi edhe ngritjen e atij që do të quhet  komisariat digjital, një automat që do të shërbejë si dritare komunikimi mes qytetarëve dhe institucioneve.

Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito tha se shumë shpejt shërbimet publike nuk do të ofrohen më të copëzuar në dhjetëra zyra siç ndodh sot, por ato do të grupohen, hap pas hapi në zyrat e integruara, ky qytetarëve gradualisht do t’iu ofrohen të gjitha shërbimet e nevojshme publike.

Harito shpjegoi se regjistrat e shtetit lidhen mes tyre mbi bazën e regjistrit të gjendjes civile dhe karta elektronike, duke identifikuar qytetarin në mënyrë unike, shënon një standard dhe mundëson identifikimin e të gjitha informacioneve që lidhen me të (qytetarin).

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/