·      Plepat: Velierën gjermane e rimorkoi anija e gatshme e prodhimit amerikan “Archangel-04”

DURRËS, 11 tetor 2014 –  Anija e Rojës Bregdetare  Archangel-04 ndihmon velierën  Lucky Star, zëdhënësi i komandës së Forcës Detare në Plepa Sheqet Kërcelli jep të dhënat e munguara për ngjarjen e 9 tetorit në Currila, kur një jaht i huaj ngeci në cekëtinë.

Mbrëmjen e datës 9 tetor 2014 motoveliera  Lucky Star, me port regjistrimi Nurberg, Gjermani, ngeci në cekëtinën e Currilave, rreth 1 milje nga pista e re.

Ajo vinte nga porti i Tivarit të Malit të Zi me drejtim portit të Durrësit, bën të ditur Kërcelli.

Menjëherë në ndihmë të velierës shkoi anija e gatshme e Forcës Detare  Archangel-04 (dhuruar Shqipërisë nga SHBA), e cila mbasi bëri rimorkimin dhe për gjithë natën e solli  Lucky Star-in në kalatën nr. 5 të portit të Durrësit në gjendje të mirë.

Çifti gjerman Gunter Heinz dhe Roza Maria falënderuan detarët shqiptarë për gatishmërinë e treguar dhe aktin human.

Mbas kësaj ndalese të paparashikuar veliera gjermane  Lucky Star u nis drejt portit të Vlorës.

Në foto: Në kalatën nr. 5 të portit tregtar të Durrësit, të bregëzuara ditën e 10 tetorit 2014 veliera “Lucky Star” dhe patrulluesja “Archangel-04”. Mirësjellje e Shefqet Kërcellit.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/