Naber&  Grori hapin 153 vende të reja në rrobaqepësitë e tyre

Së shpejti një firmë e tretë shqiptaro-gjermano-turke, që do të krijojë rreth 500 vende të reja

DURRËS, 10 tetor 2014 –  Aplikuan në programet e punësimit dhe shtuan 98 punonjës të rinj në rrobaqepësinë  Naber dhe 55 të tjerë në të dytën,  Grori, pra në total 153 vende të reja pune në dy muajt e fundit. Përmes këtij fondi, janë ngritur dy linja për trajnimin e punonjëseve të reja, janë biznesmenët gjermanë dhe shijakas, që ia dinë “kimetin” kësaj mbështetjeje qeveritare për fasonët.

Kompania  Naber Konfeksion në Shijak, është një kompani shqiptaro-gjermane, tashmë prej 15 vitesh në tregun shqiptar, dhe e specializuar në prodhimin e veshjeve, të cilat eksportohen drejt Gjermanisë, por që vënë etiketa dhe për klientin e famshëm botëror  Versace.

Lidhur me ecurinë e paketës, përfaqësuesit e kompanisë shprehen se ajo ka qenë një mbështetje për industrinë, kryesisht sa i përket rimbursimit të TVSH-së.

 “Kishim 3-4 vjet që detyrimet na shtoheshin, vetëm sepse nuk arrinim dot të merrnim rimbursimin, ndërkohë që detyrimet në sistem vazhdonin të ecnin. Ishte një ngërç shumë i madh. Tani po shkojmë drejt stabilizimit” – thotë Mimoza Xhihani, ekonomiste e  Naber-it.

Përjashtimi i makinerive nga TVSH, oraret e zgjatura të punës nga administrata doganore si dhe programet e punësimit janë disa masa të tjera që përfaqësuesit e biznesit i konsiderojnë pozitive.

“Kemi aplikuar në programet e punësimit dhe kemi shtuar 98 punonjës të rinj në firmën  Naber dhe 55 në të dytën,  Grori, pra në total 153 vende të reja pune në dy muajt e fundit. Përmes këtij fondi, janë ngritur dy linja për trajnimin e punonjëseve të reja.

Për periudhën e trajnimit që zgjat deri në 5 muaj, qeveria merr përsipër pagesën e pagës dhe sigurimeve për të trajnuarit, gjithashtu kompenson shpenzimet për kostot e materialeve të punës.

Drejtuesi i  Naber Konfeksion Nazmi Grori thotë se së shpejti do të hapin dhe një firmë të tretë shqiptaro-gjermano-turke, e cila mendohet të krijojë rreth 500 vende të reja pune, i pari biznes në këtë sektor që do të prodhojë me cikël të mbyllur.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/