DURRËS, 10 tetor 2014 –  Në qarqet e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit po zbatohet projekti i modernizimit të ndihmës ekonomike, në kuadër të marrëveshjes së huas ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e projektit të modernizimit të asistencës sociale.

Risitë kryesore të projektit lidhen me përdorimin e teknologjisë së informacionit nëpërmjet ngritjes së regjistrit elektronik të ndihmës ekonomike dhe përdorimin e formulës së pikëzuar për përzgjedhjen e përfituesve.

Aplikimi bëhet vetëm nëpërmjet regjistrit elektronik, pranë komunës apo bashkisë ku banon dhe ka gjendjen civile i interesuari dhe kërkesa i drejtohet administratorit shoqëror.

(Regjistri elektronik i ndihmës ekonomike lidh në rrjet njësitë e pushtetit lokal, Shërbimin Social Shtetëror, Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe institucionet të tjera si Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, Qendra Kombëtare e Regjistrimit, Institutin e Sigurimeve Shoqërore, Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, si dhe institucione të tjera që zotërojnë informacionin e nevojshëm për vlerësimin ekonomik, demografik dhe social të aplikuesve).

Info

Kërkesa bëhet nga data 1-10 të çdo muaji.

Në rast se plotësohet mbas 10 ditëve të para, ruhet dhe bëhet e vlefshme për muajin pasardhës.

Kërkesa përmban një sërë pyetjesh, të cilat kanë për qëllim vlerësimin e gjendjes reale ekonomike: numri i anëtarëve të familjes, arsimi dhe punësimi; lloji i banesës, pasuritë dhe objekte të tjera në pronësi, si dhe të ardhura nga programet e mbrojtjes shoqërore dhe të ardhurat e tjera (Për listën e dokumenteve kliko këtu ose shiko videon duke klikuar këtu).

Dokumentacioni dhe informacioni i dhënë gjatë plotësimit të kërkesës verifikohet në mënyrë elektronike me institucionet e tjera shtetërore, si dhe fizikisht në vendbanim, të paktën dy herë në vit.

Në rast deklaratash të rreme, kërkesa për ndihmë ekonomike nuk do të pranohet, gjithashtu përjashtohen nga përfitimi i ndihmës edhe nëse prej një prej anëtarëve të familjes ndahet qëllimisht nga trungu familjar pa krijuar një kurorë të re, përveç rasteve të vajzave nëna.

Me mbylljen e aplikimeve sistemi elektronik, pasi kontrollon dhe peshon informacionin në dokumentacionin dhe kërkesës së paraqitur pranë administratorit shoqëror, nëpërmjet formulës së pikëzuar, në bazë të kushteve që ka familja, përcakton renditjen për të qenë përfitues ose jo të ndihmës ekonomike.

I interesuari mund të kërkojë informacion për pranimin apo refuzimin e saj pranë komunës apo bashkisë së tij, në përfundim të muajit për të cilin kërkesa është e vlefshme.

Pagesa e ndihmës ekonomike tërhiqet nga bashkëshortja e familjes në nevojë dhe nga vetë  individi në nevojë pranë zyrave të postës ose sportelet bankare.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/