DURRËS, 10 tetor 2014 – Komuniteti durrsak i shërbimeve turistike e ka mirëpritur një ngjarje ndërkombëtare për ndihmën që duhet të japin qeveritë për të zbutur sezonalitetin, si pasojë e shkaqeve natyrore, kryesisht llojeve të motit dhe atyre institucionale, siç janë pushimet fetare, publike apo ato të shkollës.
Bëhet e ditur se Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit e Shqipërisë dhe Organizata Botërore e Turizmit (UNWTO) organizojnë më 20 tetor 2014 në Tiranë një konferencë ndërkombëtare për “Menaxhimin e sezonalitetit në turizëm”.
Pjesëmarrësit do të mblidhen për të ndarë mes tyre dhe diskutuar përvojat dhe strategjitë, që u mundësojnë si autoriteteve publike ashtu edhe bashkësisë së biznesit, të adresojnë efektet e sezonalitetit në mënyrën që nxit zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe krijimin e vendeve të punës.
Brenda kornizës së konferencës do të zhvillohet një tryezë e përbashkët ministeriale për “Rolin e qeverive në adresimin e sezonalitetit në turizëm”, duke u përqendruar veçanërisht në politikat dhe praktikat më të mira, të ndërmarra nga qeveritë në Evropën Qendrore dhe Juglindore për këto çështje thelbësore.
Luhatjet sezonale në numrin e vizitorëve, të njohura gjerësisht si sezonalitet, janë karakteristikë e një numri të madh destinacionesh turistike në mbarë botën, si pasojë e shkaqeve natyrore, kryesisht llojeve të motit dhe atyre institucionale, siç janë pushimet fetare, publike apo ato të shkollës.
Megjithëse, konsiderohet veçanërisht si një sfidë ekonomike, sezonaliteti ka ndikime të konsiderueshme mjedisore dhe social-kulturore, që vijnë nga kulmi apo dhe nga pika më e ulët e prurjeve të vizitorëve.
Prandaj është një çështje komplekse, e cila ndërlikohet më tej nga fakti se ndikimet ekonomike janë zakonisht të shoqëruara me periudha jashtë sezonit, ndërsa çështjet e mjedisit dhe ato social-kulturore janë të lidhura me periudhat me prurje më të ulëta.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





