DURRËS, 10 tetor 2014 –Afrimi i çamëve me qeverinë, do të sjellë largimin e kreut të Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, nga koalicioni i majtë. Pas mundësisë në dukje të afrimit të çamëve me qeverinë, Vangjel Dule i ka shpallur kushte kryeministrit Edi Rama, duke hedhur idenë që qeveria të hartojë një ligj integral për të drejtat e minoriteteve dhe të mos i raportojë organizmave ndërkombëtare, procese që as nuk kanë nisur. “Me keqardhje konstatojmë se gjatë vitit të fundit janë shënuar hapa mbrapa, si në rastin e reformës territoriale-administrative, përfaqësimit politik të pjesëtarëve të minoriteteve, implementimin në përgjithësi të angazhimeve të vendit tonë në kuadër të konventave ndërkombëtare ku jemi palë”, thuhet në njoftimin e PBDNJ. Dule ka shigjetuar fort kryeministrin Rama, duke theksuar në njoftimin e shpërndarë për mediat se, hartimi i një ligji integral për të drejtat e minoriteteve mbetet një sfidë për të cilën bien këmbana nga të gjitha drejtimet, por që qeveria po bën shurdhin dhe u komunikon partnerëve krijimin e grupeve të paqena të punës. “Është momenti i ridimensionimit të politikave për të drejtat e njeriut dhe në veçanti të të drejtave të pjesëtareve të minoriteteve etnike. Jo me slogane dhe demagogji të kapërcyera nga kohët, por me mentalitete, politika dhe praktika të standardeve evropiane”, thuhet në deklaratë. Ky ka qenë edhe qëllimi pse Dule ka kundërshtuar reformën territoriale, pasi në gjykimin e tij cenon të drejtat e minoriteteve. Kryetari i PBDNJ, e ka quajtur këtë një reformë antievropiane, të paligjshme dhe që cënon rëndë të drejtat e minoriteteve. "Kjo reformë do të dështojë ashtu si ndodhi me Censusin", është shprehur ai. Madje, ai ka arritur deri aty saqë ka kërcënuar, se nëse miratohet ndarja e re administrative-territoriale, ai do të braktisë koalicionin qeverisës. Dule gjithashtu kërkon që zonat minoritare të jenë të bashkuara dhe minoritetet të kenë mundësi të vetëqeverisen.
Konkretizimi i një bashkëqeverisje mes PDIU-së së Shpëtim Idrizit dhe të majtës në pushtet, nisi fillimisht pas dhënies së “ok” nga çamët për reformën territoriale. Këtu nis ndarja mes çamëve, Dules dhe qeverisë. E nëse PDIU do të bashkohet me të majtën, atëherë kjo e fundit do të kthehej në një supermazhorancë. Pavarësisht se burimet faktojnë se PDIU po afrohet me qeverinë, Shpëtim Idrizi vijon të mos e pranojë një fakt të tillë. “Nuk ka marrëveshje mes PDIU e shumicës. Ne mendojmë se ka nevojë për një komunikim të vazhdueshëm mes mazhorancës dhe opozitës, pasi po flitet për reforma të rëndësishme. Pasi kemi marrë statusin, por negociatat për BE nuk janë hapur ende. Duhet konsensus. Ne jemi munduar të luajmë një rol katalizatorit mes maxhorancës dhe opozitës. Jemi shumë të vëmendshëm për reformën në drejtësi. Për partinë tonë nuk janë tabu nisma të tilla dhe është e parakohshme të flasim për një marrëveshje”, tha Idrizi.
/Gazeta Sot/





