DURRËS, 10 tetor 2014– Dy javë pasi kryeministri Rama ka debatuar ashpër dhe me tonë të larta, me ministren Kumbaro, çka bëri që kjo e fundit të shpërthente në lot, kreu i qeverisë i ka shkruar dje një letër, të cilën ia ka dorëzuar nëpërmjet zv/kryeministrit Niko Peleshi. Fill pas përfundimit të fjalës së Kuvend, Edi Rama ka shkruar në një letër sugjerimet dhe porositë e tij ndaj ministres Kumbaro, të cilat ia ka sqaruar edhe zv/kryeministrit Peleshi, i cili e dëgjonte gjithë kërshëri. Teksa Rama i shpjegonte me këmbë e duar problemin, zv/kryeministri i ka folur rreth ministres Kumbaro, pasi pas çaste më pas është pozicionuar pranë kësaj të fundit.

Zëvendëskryeministri Peleshi, me letrën në dorë, është ulur pranë karriges së Mirela Kumbaros, duke i transmetuar asaj porositë e kreut të qeverisë. Porositë, duket se kanë qënë të forta, pasi ministrja Kumbaro është parë sërish të ulë kokën, ndonëse këtë herë është munduar menjëherë të marrë situatën në dorë, duke i dhuruar një buzëqeshje të lehtë zv/kryeministrit. 

Pas kritikave ndaj ministres Kumbaro, kreu i qeverisë është larguar nga Parlamenti, duke mos votuar  kështu projektligjet e diskutuara në Kuvend. Fill pas largimit të kryeministrit, ministrja Kumbaro është drejtuar për në karrigen e zv/kryeministrit Peleshi, duke parë me vëmendje letrat të cilat ndodheshin sipër tavolinës së tij. Pas këtij momenti, është afruar dhe zv/kryeministri, i cili këtë herë duket se i ka kërkuar llogari ministres për “çështjen” në fjalë, pasi veprimet e Kumbaros tregonin se ajo e kishte humbur qetësinë. Ndryshe nga seanca e dy javëve të mëparshme kur Rama kritikoi ashpër Kumbaron për disa skica, në seancën plenare të ditës së djeshme, kryeministri, i ka lënë edhe disa porosi ministres së Kulturës. Por, porositë janë transmetuar nëpërmjet zv/kryeministrit Peleshi, të cilit i janë dashur 15 minuta për t’ia shpjeguar ministres Kumbaro. Kumbaro shpërthen në lot seancën e kaluar   

Kryeministri Edi Rama dy javë më parë, debatoi në Kuvend me tone shumë të ashpra me ministrin e Financave Shkëlqim Cani, ministrin e Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri dhe ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro. Pak para se kreu i qeverisë të merrte fjalën për të diskutuar për buxhetin e vitit 2014, ai u ka dërguar paraprakisht mesazh ministrave të tij, ku ndër më të shqetësuarit ishin: ministrja Kumbaro, ministri Cani dhe Gjiknuri.

Ndërsa kreu i qeverisë lëshonte akuza për paraardhësin e tij Berisha, pas tij shihej ministrja Kumbaro e cila fliste me duar e këmbë me ministren Mimi Kodheli. Fill pas përfundimit të fjalës së Ramës, ministrja Kumbaro është afruar pranë tij, për ta sqaruar për “çështjen”, për të cilën kryeministri i dërgoi mesazhin. Por “sqarimi” mes tyre, ka përfunduar me tone të larta nga ana e kryeministrit Rama dhe shpërthim në lot, të ministres Kumbaro.

/Gazeta Sot/