TIRANE, 9 tetor 2014 – Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, foli për herë të parë lidhur me gjendjen e tij shëndetësore gjatë një interviste në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla. Kryeparlamentari u shpreh se gëzonte shëndet të plotë. 

“Jam më shumë se sa mirë. Të gjithë ata që mund të kenë patur merak, mund të qetësohen”, tha kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Ai nuk mungoi të bëjë edhe shaka, duke deklaruar se gjyshi i tij kishte jetuar 110 vjet.

“Kam patur luhatje në peshë vazhdimisht. E kam tepruar dhe jam përpjekur të normalizohem”, tha Meta, duke shpjeguar ndryshimin e dukshëm të peshës së tij trupore.

Ndërkohë, shkrimet në rrjetet sociale se kishte edhe 8 muaj jetë, Ilir Meta i cilësoi si një keqinformim dhe jo një dëshirë të tyre. “Tani ngre shumë më tepër peshë se më parë”, tha Meta, dikur një ngritës peshash.