Dy avionë ushtarakë italianë që ndiqnin me shpejtësi tepër të madhe dhe në lartësi të vogël një avion civil gjerman kanë krijuar një zhurmë tepër të fortë në pjesën veriore të qytetit Durrësit duke ngjallur panik tek banorët e zonës. Zhurma e cila ishte e ngjashme më atë të një shpërthimi është ndjerë deri në rrethinat e Shijakut, Rrogozhinës e Lushnjës, dhe është shoqëruar edhe me tronditje të banesave.
Ministria e Mbrojtjes përmes një deklarate për mediat ka sqaruar opinionin publik se bëhet fjalë për një ndërhyrje të dy avionëve italianë të NATO të tipit F16 të cilët kanë ndjekur për disa minuta një avion komercial tip boing i cili kishte humbur kontaktin me qendrat e kontrollit ajror.
Në deklaratën e ministrisë sqarohet se‘avionët F16, gjatë kësaj manovre, megjithëse mbi ujëra ndërkombëtare rreth 20 milje larg bregdetit shqiptar, për shkak të shpejtësisë mbi kufirin zanor kanë krijuar “boom-in” sonik, të konsideruar nga banorët si shpërthim’.
Deklarat e plotë e Ministrisë së Mbrojtjes
“Një avion boing komercial i cili udhëtonte nga një kryeqytet europian në drejtim të kontinentit Afrikan humbi për disa momente kontaktin me qëndrat e kontrollit ajror.
Sipas marrëveshjeve ndërkombëtare në të cilat Shqiperia është palë, vendet fqinjë anëtare të NATO-s bëjnë policimin ajror të territorit të Republikës së Shqiperisë. Mospërgjigja e këtij avioni, kur ai ndodhej në afërsi të hapsirës ajrore shqiptare, vuri në gatishmëri një ndër bazat NATO, prej të cilës u ngrit në ndjekje një çift avionesh luftarakë F16. Avionet luftarakë eskortuan për 10 minuta avionin në fjalë, deri në 8 milje në jug të kufirit Shqiptar me Greqinë. Avionët F16, gjatë kësaj manovre, megjithëse mbi ujëra ndërkombëtare rreth 20 milje larg bregdetit shqiptar, për shkak të shpejtësisë mbi kufirin zanor kanë krijuar “boom-in” sonik, të konsideruar nga banorët si shpërthim.
I sigurojmë qytetarët shqiptarë se kjo është një proçedurë e ndjekur me përgjegjësi të lartë nga autoritetet shqiptare dhe forcat e Aleancës.
/Gazeta Shqip.com/





