Nga Gladiola  Busulla

DURRËS, 7 tetor 2014 –  Profil qytetar: At Spiro Kostoli

Kush është Spiro Kostoli ?

–          Fillimisht dua t’ju falënderoj që më përzgjodhët të bëhem pjesë e personazheve të portalit Dyrrah. Të flasësh për veten është e vështirë. Gjithsesi do të përpiqem që t’u përgjigjem pyetjeve thjeshtë dhe qartë.

I përkas një familjeje durrsake dhe për këtë ndihem me të vërtetë krenar. Kjo për disa arsye. E para është sepse Durrësi është një qytet me një histori të lashtë dhe ka qenë një portë shumë e rëndësishme që lidhte Perëndimin me Lindjen. Së dyti, nga Durrësi kanë dalë personalitete si Perandori I Bizantit, Anastas Durrsaku, Shën Joan Kukuzeli etj. Që e kanë bërë të njohur këtë qytet kudo në botë. Së treti dhe shumë e rëndësishme do të thoja, qyteti ynë ka një dhuratë të veçantë nga Zoti, mikpritjen. Kushdo që vjen në Durrës ndihet mirë dhe shkrihet menjëherë me jetën e njerëzit e këtij qyteti.

Kam lindur më 01.07.1978 në Durrës. Pas mbarimit të gjimnazit “Naim Frashëri” në vitin 1996, si gjithë të tjerët edhe unë gjendesha në udhëkryq për të ardhmen time. Në atë moshë më pëlqente arkitektura si degë për të vazhduar studimet e mia të larta. Po atë vit në Shën Vlash, fshat në periferi të Durrësit, u hap Akademia Teologjike “Ngjallja e Krishtit” (një institucion që i përket Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, ku përgatiten klerikët, katekistët dhe kuadrot për mbarëvajtjen e jetës dhe veprës të Kishës sonë në Shqipëri). Kjo më bëri të ndryshoj mendim dhe të vazhdoj studimet në këtë akademi, pasi isha besimtar dhe pjesëtar aktiv i Kishës Orthodhokse në Durrës.

Pas mbarimit të Akademisë Teologjike, në vitet 1999-2004 vazhdova studimet e mëtejshme 5-vjeçare në Konservatorin Kombëtar të Athinës në degën e Muzikës Kishtare Bizantine. Menjëherë më pas u ktheva për të punuar si pedagog i kësaj lënde në Akademinë Teologjike. Gjithashtu, nga viti 2007 jap mësim lëndën e Muzikës Kishtare Bizantine dhe Besimin e Krishterë Orthodhoks në Gjimnazin Jopublik “Kryqi i Nderuar”, Sukth, Durrës, i cili, ashtu si edhe Akademia, është një shkollë e themeluar dhe e financuar tërësisht nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Imzot Anastasi.

Më 27.08.2006 pata bekimin të martohem me bashkëshorten time Theano, e cila ka studiuar Teologji dhe Filologji. Më 10.10.2007 Perëndia na dhuroi një djalë, që quhet Mihail. Me miratimin dhe mbështetjen e bashkëshortes, më 15.04.2007 u dorëzova në gradën e parë klerikale të dhiakonit. Si fillim kam shërbyer në Katedralen e “Ungjillëzimit” në Tiranë pranë Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Imzot Anastasit, për të cilin dua të shpreh një falenderim të thellë pasi mundësoi (duke më ofruar bursë100 %) kryerjen e studimeve të mia në Akademi, ashtu edhe në Athinë. Ndërsa, më 06.08.2011 u dorëzova në gradën e dytë klerikale, atë të priftit në Kishën “Apostull Pavli & Shën Asti”, Durrës, ku vazhdoj të shërbej edhe sot. Thirrja për t’u bërë klerik ka ardhur natyrshëm brenda meje. Kjo shërbesë që kryej më plotëson dhe më bën të ndihem mirë me veten dhe të tjerët.

 

Si filloi lidhja juaj me Zotin?

–          Lidhjen time me Zotin ia dedikoj familjes, nënës sime dhe në mënyrë të veçantë babait tim. Megjithëse mund të dëgjohet e çuditshme në familjen time besimi fetar ushtrohej edhe në kohën e komunizmit. Siç e dimë të gjithë feja në Shqipëri u ndalua me ligj nga shteti komunist në vitin 1967. Në Meshën e fundit, që u zhvillua në kishën e Shën Spiridhonit (sot në truallin e saj ngrihet ndërtesa e SHISH-it) nga Atë Erazmi Jorgo dhe Atë Petro Nani, një nga besimtarët e paktë që mori pjesë ishte edhe babai im, Mihal Kostoli. Familja ime vazhdoi të praktikonte besimin dhe ritet fetare edhe pse kjo gjë ishte e ndaluar. Në vitin 1970 prindërit e mi u martuan dhe kryen misterin e martesës fshehurazi. Dy motrat e mia dhe unë jemi pagëzuar në shtëpi gjatë periudhës së komunizmit nga një prift nga Bestrova e Vlorës, Atë Kozma Qirjo. U pagëzova në moshën 7-vjeçare, më 10.07.1985 dhe ajo që mbaj mend ishte një batanije e madhe e vendosur në dritaret e shtëpisë për të mos u dukur nga jashtë dhe porosia se po më ndodhte diçka që në asnjë mënyrë nuk duhej t’ua thoja shokëve, përndryshe mami dhe babi do të futeshin në burg, ndërsa unë në jetimore.

Me ardhjen e demokracisë dhe lënien e lirë të fesë, disa familje orthodhokse durrsake, midis tyre dhe familja ime, ishim të parët që u angazhuam në kryerjen e ceremonive fetare në Kishën e Shën Gjergjit tek kodra e Vilës, që deri në atë kohë funksiononte si bar-restorant. Nga dita e parë që është lejuar besimi fetar dhe deri sot nuk i kam shkëputur lidhjet për asnjë moment me Kishën.

Familja ju mbështeti apo hasët kundërshti?

–          Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme sidomos përsa i përket një kleriku. Në besimin e krishterë orthodhoks themi se familja është Kisha e parë ose e vogël. Nëse në Kishën e vogël ka mirëkuptim, harmoni dhe bashkëpunim, atëherë gjërat shkojnë mirë edhe në Kishën e madhe të komunitetit. Të gjithë si familje jemi të lidhur ngushtë me Kishën. Shpesh herë e mendoja që të bëhesha klerik, por gjithmonë e anashkaloja me pretendimin se isha akoma i ri. Ishte mbështetja dhe inkurajimi i bashkëshortes që më ndihmoi të marr vendimin të dorëzohem në moshën 29-vjeçare. Si gjatë viteve studentore ashtu edhe kur u bëra klerik mbështetja e familjes ka qenë e pazëvendësueshme. Për këtë mbështetje të vazhdueshme u jam mirënjohës.

Ç’ju është dashur të sakrifikoni për punën tuaj e cila i ngjet një misioni?

–          Kjo është një pyetje paksa delikateose më mirë  u përshtatet më shumë atyre profesioneve, që kanë si qëllim ngritjen në karrierë. Dua të theksoj se priftëria nuk është një profesion por një shërbesë; shërbesë ndaj Zotit dhe njerëzve. Kjo shërbesë bazohet në dashurinë për Zotin dhe të afërmin. Në Ungjillin sipas Joanit thuhet: “Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin” (Jn. 13:35). Që të shërbesh dhe të duash do të thotë të sakrifikosh. Misioni I priftërisë kërkon sakrifica që kanë të bëjnë me veten dhe familjen. Çdo ditë e falenderoj Zotin që më vlerësoi dhe më zgjodhi për të kryer misionin e përhapjes së Fjalës së Tij tek populli besimtar.

Ç’raporte keni me besimtarët?

–          Një prift nuk ka kuptim nëse nuk ka besimtarë, ashtu siç nuk mund të quhesh bari nëse nuk ke tufën tënde të dhenve. Në aspektin teologjik Kisha nuk është ndërtesa e përbërë vetëm nga muret, ikonat, kandilat dhe gjërat e tjera që ndodhen në të, por Kisha është tërësia e besimtarëve, që bashkë me klerikët adhurojnë Perëndinë. Kleriku nuk veçohet nga besimtarët. Ai është pjesë e gjallë e komunitetit. Madje, më parë ishte komuniteti që zgjidhte se kush do të bëhej prift.

Misioni i një kleriku ndërthuret me marrëdhëniet që krijon me besimtarët. Kjo marrëdhënie shtrihet në dy rrafshe. I pari është rrafshi shpirtëror, i cili përfshin adhurimin e Perëndisë nëpërmjet kryerjes së shërbesave fetare në kishë, por edhe në familjet e besimtarëve. Në kishën tonë në Durrës ekziston një këshill kleriko-laik, i përbërë nga besimtarë, që merret me menaxhimin administrativ dhe shpirtëror të enorisë. Gjithashtu, që nga viti 1992 është themeluar lidhja rinore “Bijtë e Dritës”, e cila zhvillon takime të përjavshme me tema të ndryshme shpirtërore e sociale, studime biblike, kampe ditore, punëdore etj. Prej disa vitesh është krijuar Lidhja e grave orthodhokse të qytetit, që kryen takime të rregullta dhe ndihmon në organizimin e festave dhe aktiviteteve të ndryshme të enorisë.

Ndërsa, rrafshi i dytë i përket aktivitetit social të Kishës. Çdo periudhë Krishtlindjesh dhe Pashke, me ofertat e besimtarëve, u ndajmë mesatarisht 80-100 pako familjeve në nevojë dhe kjo pa dallim fetar. Gjithashtu me grupin rinor dhe organizatën e grave bëjmë vizita të ndryshme baritore në institucione si azile, jetimore, paraplegjikët etj. Kisha jonë në bashkëpunim me autoritetet vendore të qytetit, Drejtorinë e Mirëqenies Sociale, komunitetet fetare kemi kryer aktivitete të ndryshme sociale në lidhje me çështje që shqetësojnë qytetin tonë. Të gjitha këto aktivitete shpirtërore dhe sociale krijojnë raportin midis një kleriku dhe besimtarëve.

Ç’vështirësi has një prift në ditët e sotme?

–          Kjo varet nga këndvështrimi i secilit dhe nga rrethanat që qarkojnë jetën e një prifti. Nëse në disa nga pyetjet e mëparshme jam përgjigjur në lidhje me figurën e një prifti në përgjithësi, kësaj pyetje dua t’i përgjigjem në lidhje me personin tim konkretisht.

Si të gjithë njerëzit e tjerë edhe unë has vështirësi në përditshmërinë time. Ka pasur raste sporadike, ku gjeste të ndryshme, reagime, gjuha e përdorur ndaj meje nuk ka qenë e përshtatshme ose herë-herë ka qenë ofenduese dhe më është dashur të hesht, por ky është kryqi që kam pranuar të mbaj.

Në fillim, kur e vesha uniformën e klerikut, automatikisht shikimet e njerëzve në rrugë hidheshin mbi mua dhe kjo vështirësonte lëvizjen time të lirshme, por me kalimin e kohës kjo ndjesi u venit dhe u shua. Gjithashtu, shumë persona që nuk i njoh më përshëndesin për shkak të uniformës dhe për mua ky është bekim. Këtu më jepet rasti të falënderoj qytetarët durrsakë, por edhe të gjithë qytetarët e Shqipërisë pa dallim feje, sepse kudo ku kam shkuar kam ndjerë një respekt dhe vlerësim për figurën e priftit. Dhe natyrshëm më vjen bindja se në Shqipëri nuk ka thjesht tolerancë fetare, por midis komuniteteve të ndryshme fetare ka një bashkëjetesë dinamike me harmoni të admirueshme.

Do të dëshironit të ndanit dhe diçka të fundit me lexuesin e Portalit “Dyrrah”? 

–          Ajo që dua të ndaj me të gjithë lexuesit është që së bashku duhet të promovojmë vlerat e mëdha që mbart populli ynë i lashtë. Vlera të tilla si mikpritja, harmonia ndërfetare e të tjera si këto janë stoli e çmuar. Zoti na ka dhuruar një vend të bekuar. Ajo që duhet të bëjmë ne është ta menaxhojmë me urtësi, dashuri dhe respekt këtë bekim të Tij. Zoti qoftë me ne të gjithë! Faleminderit!