Transportuesi  Columbia sjell 10 141 tonë hekur rrotativ, prodhim kinez, për llogari të grupit turk metalurgjik  Kurum, i cili gjatë 8-mujorit 2014 ka eksportuar 80 549 tonë prodhim

DURRËS, 6 tetor –   Sërish në portin e Durrësit një transportues gjigant me tonazh 58 701 tonë dhe gjatësi 190 metra, i cili do të fillojë, të hënën, më 6 tetor 2014, shkarkimin e 10 141 tonë hekur rrotativ në kalatën nr. 5 për llogari të  Kurum-it.

Sipas dispeçerit të portit të Durrësit, të dielën, datë 5 tetor 2014, mbërrin anija  Columbia  me një ngarkesë prej 10 141 tonë hekur rrotativ, prodhim kinez, për llogari të grupit turk metalurgjik  Kurum; do të shkarkohet në Terminalin Perëndimor, ende jo i privatizuar, kalata nr. 5 (me gjatësi 235.9   metra dhe thellësi 7.9/9.85 metra), ku do të përpunohet nga stivadori shqiptar  Liburnet 1.

Është për t’u vënë në dukje se  Kurum-i, gjatë 8-mujorit 2014, ka eksportuar nëpërmjet portit të Durrësit 80 549 tonë hekura e çeliqe, ose 42 953 tonë më tepër se e njëjta periudhë e vjetshme dhe importon produkt të gatshëm prej mbi 10 mijë tonë nga Republika Popullore e Kinës.

Bën përshtypje se transportuesi  Columbia, me flamur  liberian, është një gjigant dhe përbën ngjarje për portin shqiptar: ka tonazh 58 701 tonë; gjatësi 190 metra, gjerësi 32 metra; është ndërtim i vitit 2009 i kantierit japonez të Fukajama-s  Tsuneishi Shipbuilding, në pronësi dhe brokerim të kompanisë gjermane të Hamburgut  Orion Bulkers.

Info:

Të dielën, më 5 tetor 2014 në portin e Durrësit ndodheshin 7 anije në shkarkim (Taknis me 3 700 tonë xhama;  Peak Sauda me 2 254 tonë grurë;  GulfRiver me 3 mijë tonë superfosfat; Frosina me 4 mijë tonë çimento rinfuso;  AbdulM me 4 560 tonë melaminë;  Macaro me 385 copë kontejnerë; si dhe  Bergfjord në radë, me  2 700 tonë lidhje hekuri); janë në pritje dhe 4 anije (Columbia me 10 141 tonë hekur rrotativ;  Tara me 3 500 tonë çimento të paketuar; Lana dhe  May me grurë – e para me 3 300 tonë dhe e dyta me 2 422 tonë).

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/