5 tetor 2014 – Gianni de Biasi e cilëson si sfidën më të rëndësishme përballjen me Danimarkën të shtunën e 11 tetorit në orën 20:45. 58-vjeçari që drejton Përfaqësuesen Shqiptare kërkoi që në fillim të konferencës për shtyp të evitohen pyetjet për ndeshjen me Serbinë, pasi sfida që do të zhvillohet në “Elbasan Arena” është shumë jetike për ecurinë e kuqezinjve.
“Të shtunën do të luajmë në një stadium të ri dhe ndaj Danimarkës, një kundërshtar shumë i fortë fizikisht dhe teknikisht. Ata janë një ekip i mirë pasi luajnë së bashku prej disa vitesh. Në transfertë janë të rrezikshëm, pësojnë pak gola dhe edicionin e kaluar kanë fituar plot tre ndeshje jashtë shtëpisë. Nëse mbajmë mendjen tek rezultati në Portugali atëherë nuk do të arrijmë asgjë. Ndaj Portugalisë kemi bërë shumë gabime dhe disa gjëra të mira. E rëndësishme në këtë moment është të mësojmë nga gabimet që kemi bërë. Edhe nëse do të mundeshim në Portugali asgjë nuk do të ndryshonte për ne. Kemi dhe 7 ndeshje të vështira dhe nëse nuk qëndrojmë me këmbë në tokë nuk do të arrijmë asgjë”.
Në një duel të tillë është e rëndësishme të mos dalësh pa pikë. Ndaj Danimarkës luhet për fitore por edhe një barazim do të ishte i kënaqshëm për këdo. De Biasi shprehet se ekipi luan me një objektiv të vetëm duke analizuar më pas dhe situatën tek kuqezinjtë.
“Nuk luaj kurrë për barazim. Përgatitemi për të fituar ndeshjen kjo dhe për respekt ndaj tifozëve apo medias. Më pas në varësi se si do të shkojë loja edhe mund të kënaqemi barazimin. Kjo nuk është një ndeshje e lehtë pasi janë ekip i mirë. Ne duhet të luajmë me kujdes dhe zgjuarsi. Në përgjithësi thuhet se ekipi që fiton nuk ndryshon por ka kaluar një muaj nga ndeshja me Portugalinë dhe ne kemi rikthime të rëndësishme në skuadër. Do i vlerësojmë të gjithë në stërvitje dhe më pas do vendosim. Mund të them që në krahasim me eliminatoret e botërorit ekipi do të pësojë më pak ndryshime nga ndeshja në ndeshje, pasi kemi dhe shumë alternativa”.
Gianni De Biasi ka shpallur edhe listën paraprake prej 27 futbollistësh të Kombëtares Shqiptare në vigjilje të dy takimeve eliminatore të Euro 2016 kundër Danimarkës dhe Serbisë. Në këtë listë nuk mungojnë surprizat ku bien në sy edhe afrimet e reja si portieri i Partizanit, Alban Hoxha, mbrojtësi Amir Rrahmani, si dhe bien në sy rikthimet e mesfushorëve Alban Meha dhe Valdet Rama. Ndërkohë që mbrojtja mbetet e njëjtë, reparti më i populluar është sulmi, ku përveç heroit të Portugalisë, Bekim Balaj janë grumbulluar edhe Vajushi, Cikalleshi, Salihi, Gashi si dhe veterani Kapllani. Sytë janë tek fantazisti Alban Meha, i cili vjen nga një mungesë një mujore për shkak dëmtimi, pasi konsiderohet si elementi më cilësor tek kuqezinjtë. 28-vjeçari duhet të fitojë minuta në këmbë, pasi sipas trajnerit De Biasi në ndeshjen e parë në “Elbasan Arena” luhet ndaj një kundërshtari të përgatitur fizikisht.
“Jam shumë i kujdesshëm për futbollistët e Kampionatit Shqiptar. Këtë gjë e tregon edhe lista e publikuar. Për sa i përket Mehës ai nuk është ende në 100% të formës së tij dhe të dielën e kaluar luajti vetëm 10 minuta. Ai ka kualitet dhe është një futbollist që mund të zgjidhe ndeshjen në çdo moment”.
Për herë të parë lista e publikuar nga trajneri Gianni De Biasi, nuk duket të ketë kontestime apo pakënaqësi, pasi në të janë futbollistët më të mirë të momentit.
Lista e lojtarëve të grumbulluar;
Portierë: Berisha, Shehi, A. Hoxha
Mbrojtës: Cana, Hysaj, Lenjani, Xhaka, Curri, Rrahmani, Lila, Mavraj, Agolli
Mesfushorë: Kaçe, Meha, Abrashi, Bulku, Kukeli, Vila, Rama, Shala, Roshi
Sulmues: Balaj, Gashi, Cikalleshi, Salihi, Vajushi, Kapllani





