Nga Gjergj Thanasi
Kryebashkiaku i Selanikut Jani Butari është një nga të paktët politikanë të lartë grekë, që mban qëndrime relativisht pozitive e deri diku realiste për shqiptarët dhe Shqipërinë. Ndonëse i përket moshës së tretë, ai është në mentalitet, në veprime e në formim politik shumë më i ri se shumica dërrmuese e politikanëve grekë, që ende i konsiderojnë si projekte për veprim ëndrrat e Jani Koletit, një farmacisti në oborrin e Ali Pashë Tepelenës, që për ca kohë ishte kryeministër i Greqisë nja 180 vjet më parë.
Në këtë drejtim Butari është përplasur ballazi dhe fort në disa raste edhe me hierarkë me mentalitet mesjetar të Kishës ortodokse Greke.
Përveç kontakteve institucionale dhe vizitave të ndërsjella zyrtare në Selanik dhe Durrës, Kryebashkiakët Butari dhe Dako kanë edhe miqësi personale të ngushtë.
Me iniciativën e vet personale z. Butari një sheshi në Selanik i vuri emrin Durrësi. Ky veprim ra si rrufeja në qiell të kaltër në botën politike greke.
Kryebashkiaku Butari u përball me një kor anatemash që nga kamillaftët e priftërinjve dhe peshkopëve deri te fashistët e Agimit të Artë, madje edhe deri te treçerek komunistët e partisë Syriza.
Elementë shovinistë grekë e thyen pllakën me emrin e Durrësit në Selanik, por Kryebashkiaku Boutari e rivuri duke sfiduar publikisht politikën greke me mentalitet démodé silogjesh vorioepirote.
Këtë shtator Kryebashkiaku Butari bëri vizitën e radhës në Durrës. Me vendim të Këshillit Bashkiak të Durrësit, votuar madje edhe nga këshilltarët çamë të PDIU-së, ai u shpall Qytetar Nderi i Durrësit. Një sheshi në Durrës iu vu emri Selaniku, madje Kryebashkiaku Boutari bëri edhe takime të profilit të lartë me të dy krahët e politikës shqiptare si edhe me z. Janullatos Ekzark i Bartolomeut, Patrikut të Kostandinopojës.
Këtë të enjte më 2 shtator 2014 u zbulua, që pllaka me emrin Selaniku ishte thyer qëllimisht. Akt vandal, i panevojshëm, tangërdhëk patriotizmi të rremë etj. etj.
Është realisht turp, që ne shqiptarët një greku, thuajse njeri normal, thuajse dashamirës i shqiptarëve si Kryebashkiakut Boutari, t’i bëjmë një proçkë të tillë. Ngrihet pyetja kush ta ketë bërë vallë?
Që ta ketë bërë PD-ja e qendrës për patriotizëm, pak e vështirë, sepse pas firmës së ish-ministrit të jashtëm Basha për ato 300 kilometra katror, det zor se mund t’i veshësh PD-së “benevrekë” patriotik-nacionalistë.
Ta ketë bërë PD-ja lokale pa dijeninë e Lulit në Tiranë, më duket gjë e pamundur se një provokacion i tillë do tru, do intelekt që të përfytyrohet e më pas të sendërtohet. Fatkeqësisht, udhëheqjes së PD-së durrsake ky i shkretë tru i mungon në nivele ulëritëse.
Ta kenë bërë çamët, që votuan pro Jani Butarit, pak e vështirë të besohet. Të ishte për ndonjë post drejtori apo zëvendësministri, çamët do të ishin gati të ziheshin me grushte e të thereshin me thika, por për dava pllake me ca shkronja greqisht absolutisht jo.
PS-ja e kontrolluar deri në kapilar nga Kryebashkiaku Dako jo e jo.
Të ketë qenë aksidentale? Pak e vështirë. Se edhe pa qenë ekspert e kupton që pllaka është thyer qëllimisht.
Ndërsa bëja gjithë këto pyetje, m’u kujtua SHIK-u. Po ky institucion, që e ka detyrë me ligj të trajtojë të tilla figura krimi a di gjë për këtë pllakën e thyer? Çne SHIK-u të merret me këtë punë. Ai organ është shumë i zënë me përgjime për të zbuluar, nëse ka shoqe apo jo Saimiri, nëse e ka sharë Edi Rama në telefon Harasanin në Amerikën e largët, apo nëse Mero Baze ka lënë takim për të pirë kafe me Patozin te restorant Ujëvara apo jo. Këto janë punë SHIK-u. Jo provokacione të tilla, që hapin plot telashe dhe veç dobi nuk i sjellin Shqipërisë
Kush vallë dhe pse vallë e thyen pllakën me emrin e Selanikut?!
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





