DURRËS, 4 tetor 2014– Shën Françesku i Asizit është njëri ndër shenjtorët më të dashur e të adhuruar në të gjithë botën. Sot Italia kremton ditën e tij. Po sot, besimtarët myslimanë kudo në botë festojnë Kurban Bajramin duke përkujtuar profetët Ibrahim e Ismail. Sërish ndërthuren Islami me Krishtërimin. Sërish thirrje për më shumë tolerancë fetare.
Ja si është shprehur Dom Gjergj Meta, rreth këtij pikëtakimi në profilin e tij në facebook:
”Të paktën gentelmen….
Sot ne të krishterët kremtojmë Shën Françeskun e Asizit, një nga të mëdhenjtë e historisë sonë shpirtërore. Sot myslimanët festojnë Bajramin, sakrificën e Abrahamit (Ibrahimit).
Në fund të shtatorit 1219, Françesku, i varfri i Asizit, mu në mes të tmerrit të kryqëzatave, takon Sulltanin Melek-el-Kamel, dhe të dy biseduan me njëri-tjetrin. Nuk dihet saktë se çfarë kanë biseduar, por ka qenë një takim midis dy gentelmen-ve. Takimi midis tyre ishte një model tjetër, ndryshe nga ai i kryqëzatave, ku myslimanë dhe të krishterë takoheshin për t'u vrarë. Të dy u larguan nga njëri-tjetri dhe sipas legjendës, Sulltani e shoqëroi me njerëzit e vet deri te fushimi i krishterë. Françesku më pas, kur sheh tmerret e luftës, kthehet në Itali. Sigurisht rruga e dialogut dhe jo e luftës është rruga fituese, në të cilën na fton sot një Françesk tjetër i shekullit XXI !”
Kështu mbyllet komenti i tij.
/g.r.b. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





