DURRËS, 4 tetor 2014 – Myslimanët kudo në botë i japin rëndësi të veçantë festimit të Kurban Bajramit. Pikërisht gjatë këtyre ditëve, besimtarët veshin petkat më të mira, vizitojnë njëri-tjetrin, falin gabimet, luten e ndihmojnë nevojtarët. Gjithashtu, ata flijojnë bagëti të imëta që s’duhet të jenë më të mëdhenj se 1 vjeç. Pas sakrificës së kafshës, sipas Kuran-it, mishi duhet të ndahet në tri pjesë: një pjesë për të varfrit, një pjesë për të afërmit e fqinjët, dhe pjesa e fundit për familjen. Në këto ditë feste shuhen mëritë, mbizotëron një atmosferë idilike, sundon toleranca e bujaria, kështu që dhe të varfërit mund të gëzojnë në tryezat e tyre.
Nga ana tjetër, pelegrinë nga e gjithë bota, në këto ditë feste vizitojnë Qaben dhe kryejnë ritualet fetare.Pas ceremonisë së therjes së kurbanit dhe faljes së namazit të Kurban Bajramit, turma e vizitorëve të Qabes niset drejt Mekës për të bërë tavvafin, rrotullimin rreth Qabes, qendrës madhështore të Tokës që grumbullon rreth vetes, besimtarët e devotshëm.Teksa ata rrotullohen rreth Qabes, ndiejnë se shpresat e tyre përndizen dhe jeta u merr tjetër vlerë, tjetër kuptim, kur afrohen me Zotin.
Le të urojmë që kjo festë t’u sjellë të gjithë qytetarëve shqiptarë, sa më shumë dashuri, solidaritet e mirëqenie !
/g.r.b. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





