DURRËS, 3 tetor 2014  –  Kjo javë filloi keq për drejtorët e LSI-së, të cilët u emëruan në këto poste si rrjedhojë e marrëveshjes politike Rama-Meta për periudhën post-fitore të 23 qershorit 2013. Nga ndarja e pushtetit midis PS-LSi-së pas kësaj fitoreje, LSI-ja krahas “llokmave” në pushtetin qëndror u mbishpërblye edhe me poste në nivel lokal. Shpeshherë LSI-ja arriti t’i merrte PS-së “llokmat” më të majme në këto poste të dorës së tretë. Tipike ishte rasti i Burgut të Rrogozhinës, ku drejtori u emëruar nga LSI-ja, ndërsa në Burgun e Kosovës së Lushnjës, ku bëhej më pak para, drejtori u emërua një kandidaturë e PS-së.

Sot u krye arrestimi i rradhës për këtë javë në rradhët e drejtorëve të LSI-së. Ferdinand Doksani Drejtor i Burgut të Rrogozhinës, u arrestua bashkë me dy mjekë: A. Konda dhe F. Hate për dhënie raporte mjekësore false për të dënuarit, me qëllim që ata të marrin leje shpërblyese të pamerituara. Kujtojmë që ministri i LSI-së Naço e paralajmëroi për shkarkim nga detyra  z. Doksani si Drejtor i Burgut të Rrogozhinës, në nëntor 2013, sespe në qelitë e të dënuarve u gjetën sende të ndaluara.

Në Durrës, të hënën në 29 shtator 2014 u arrestua Genc Balla Drejtor i Inspektoriatit të Mjedisit Durrës, bashkë me vartës të tij për shtrëngim për mitëmarrje nga një kompani shqiptaro-kineze. Z. Genc po ashtu është drejtor i emëruar nga LSI-ja.

Kontrolli i Lartë i Shtetit të mërkurën paditi penalisht z. Edmond Rrushi Drejtor i QSUT-së “Nënë Tereza”, për shpërdorim detyre, shkelje të barazisë së shtetasve në tenderime etj. Vërtet javë “ters” për drejtorët e LSI-së! Le të shpresojmë, që ky lloj tersllëku në javën në vazhdim nuk do të prekë edhe drejtorë e pushtetarë të tjerë të LSI-së.

/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/