DURRËS, 3 tetor 2014 – Franca dërgon top-ekspertin e saj në muzeun e Durrësit, nga më të rëndësishmit në vend dhe Ballkan.
Më 2 tetor 2014 vizitoi Muzeun Arkeologjik të qytetit të Durrësit, z. Rosh Paje (Roch Payet), drejtor i studimeve të departamentit të restauruesve në Institutin Kombëtar të Trashëgimisë (Institut National du Patrimoine – INP) Paris, një shkollë e lartë në varësi të Ministrisë së Kulturës dhe Komunikimit të Francës.
Vizita u mundësua me ftesë të Ministres së Kulturës znj. Mirelë Kumbaro në bashkëpunim me Ambasadën e Francës në Shqipëri.
Z. Rosh Paje u shoqërua nga kreu i drejtorisë rajonale të kulturës kombëtare të Durrësit (DRKKD) z. Ledion Lako, specialistë të kësaj drejtorie dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës Tiranë, njoftoi DRKKD-ja.
Programi i ekspertit të shquar francez përqendrohet në një vlerësim të situatës së objekteve muzeore, pjesë e fondit të vlerave të trashëgimisë kulturore.
Ndër të tjera u theksua se janë të nevojshme bashkëpunimet, trajnimet e përbashkëta dhe shkëmbimet e përvojave për rritjen e nivelit profesional të specialistëve, të cilët merren drejtpërdrejt me objektet dhe konservimin paraprak të tyre; krijimi, brenda mundësive, i klimës dhe temperaturës së përshtatshme në mjediset e muzeut dhe monitorimi konstant me pajisje adekuate.
Në pamundësi qëndrimi, objektet e vitrinave duhet të kenë mbështetëse për të shmangur rrëzimin dhe dëmtimin e mundshëm të tyre.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





