Ja si u grabit për 15 minuta në një restorant të kryeqytetit delegacioni policor kanadez. Eksperti i çështjeve policore, Benet Koka evidenton problemet dhe masat që duhet të ndërmerren për të pasur nën kontroll vjedhjet e hapura. Shifrat tregojnë se ky lloj krimi ka tendencë të rritet, ndërsa zbulueshmëria është në shifra minimale.
Nga investigim.al
TIRANE, 3 Tetor 2014 – Vjedhjet e hapura në zonat urbane të vendit, që përbëjnë edhe krimin me ndjeshmëri të lartë dhe me impakt negativ tek opinioni publik, zënë vendin kryesor në numrin total të vjedhjeve të regjistruara zyrtarisht. Në tërësi te vjedhjet e hapura përfshihen që nga vjedhjet me dhunë apo me armë, vjedhjet në xhepa, vjedhja e varëseve, celularëve apo çdo formë tjetër e vjedhjes që realizohet në mënyrë të dukshme. Referuar statistikave zyrtare nga prokuroria dhe policia vihet re një tendencë në rritje progresive e numrit total të vjedhjeve dhe një rënie e rasteve të zbulura nga organet ligjzbatuese.
Në këtë video të siguruar nga investigim.al përshfaqet një nga metodat e vjedhjeve që ndodhin në lokalet apo restorantet e kryeqytetit. Në vitin 2012 delegacioni policor kanadez, i cili duket në anën e majtë të pamjeve filmike, pasi ka përfunduar një takim zyrtar në Ministrinë e Brendshme është ulur në një prej restoranteve të Tiranës, ku pas disa minutash dy persona i kanë grabitur pa dhunë. Dy autorëve, ende të paidentifikuar nga policia iu janë dashur 15 minuta për të kryer vjedhjen. Fillimisht ata janë ulur në tavolinën në cep, ku njëri prej tyre ruante, ndërsa tjetri nëpërmjet mëngës së xhupit të tij kontrollonte në xhaketën e shtetasit kanadez. Duke mos gjetur asgjë, dy personat zhvendosen në tavolinën tjetër në mënyrë që të kenë lehtësi për të kontrolluar tek kreu i delegacionit kanadez policor. Dy personat arrijnë të marrin portofolin dhe më pas të largohen menjëherë nga lokali të pa shqetësuar, duke mos u pikasur nga askush.Vjedhja u konstatua më vonë dhe pas denoncimit në polici u arrit të provohej nëpërmjet pamjeve të kamerës së sigurisë së biznesit mekanizmi i vjedhjes se dy autorëve.
Benet Koka, ekspert i çështjeve policore, në një intervistë për investigim.al bën një tablo të përgjithshme të profilit të autorëve të vjedhjeve të hapura.
“Ajo që vlen për t’u përmendur është që këto krime ndahen shpeshherë në krime të thjeshta apo individuale, por ndonjëherë duket sikur janë edhe krime të organizuara. Kjo për vetë faktin se ka edhe grupe të tilla të mirëfillta që merren me këto vjedhje, që janë të përbërë nga tre apo katër persona, ku kanë një lider që qëndron në krye dhe merret me menaxhimin e këtyre personave. Në këto grupe ka ekzekutor ose ata që merren me vjedhjet në terren, me vjedhjet konkrete, kanë persona që i financojnë dhe po ta shikosh në këtë aspekt ata duken se janë të mirëorganizuar. Ka edhe vjedhje individuale. Problematike më shumë nga të gjitha është edhe precedenti i personave që janë përdorues të drogave, të çdo lloj droge, të cilët e kanë të vështirë të sigurojnë drogën e tyre dhe janë të detyruar në terren që të kryejnë këto vepra apo krime të hapura, vjedhje të hapura për të siguruar shumat e parave për të blerë”, shprehet eksperti Koka.
Sipas Kokës, për të pasur rezultate në parandalimin apo frenimin e vjedhjeve ka nevojë për një eficencë më të madhe të të gjitha institucioneve ligjzbatuese.
“Ashtu siç ka vazhduar në kohë fushata e sensibilizimit, e tillë duhet të jetë edhe më tej. Duhet të shtrihet në çdo nivel, në nivele të natyrës së shkollave fillore, atyre 9-vjeçare, të mesme apo universiteteve, duke bërë të ditur dënimin që kanë këto vepra penale, faktin që po të bashkëpunohet me policinë është një gjë e mirë për qytetarin, është një gjë e mirë për publikun. Nga krahu tjetër, vetë Kodi Penal me lëvizjet e fundit që janë bërë nga ana e funksionarëve në Parlament, mund të kishin bërë diferencën e vjedhjeve në tërësi. Patjetër ka nevojë për diferencë. Konstatojmë se trajtohet njësoj nga ana e dënimit në gjykatë apo e ngritjes së akuzës nga prokurori si ai që vjedh xhepat, p.sh një portofol, po ashtu edhe ai që vjedh një makinë që bën 10 apo 15 mijë euro, që vjedh një banesë dhe natyrisht rrezikshmëria është më e lartë kur t’i vjedh një banesë. Pra, nuk mund të trajtohen njësoj këto të dyja”, sqaron eksperti i çështjeve policore.
Shërbimi i provës është një hallkë e rëndësishme e cila nuk funksionon më së miri.
“Nga ana e vet Shërbimi i Provës duhet të rrisë maksimalisht eficencën, kërkesën, mbi kontrollin e personave që kanë dënime alternative. Konstatohet se Shërbimi i Provës për mendimin tim nuk është eficent në atë pikë që duhet. Mendoj se duhet të ketë një bashkëpunim më të fortë me Policinë e Shtetit, kjo për motivin e vetëm se edhe ata janë të reduktuar në numër, ndërkohë që unë do të sugjeroja një numër më të madh në organigramën që ka Shërbimi i Provës, që të kenë mundësi kontrolli edhe në terren përveç atij projekti që është bërë me unazat që mbajnë nën kontroll, apo byzylykët që mbajnë nën kontroll”, pohon Koka.
Bashkëpunimi mes seksioneve policore është një tjeter aspekt që mund të rrisë parandalimin dhe zbulueshmërinë.
“Policia duhet të fokusohet më shumë në drejtim të shërbimeve të hapura dhe shërbimeve të fshehta. Shërbi i hapur parandalon krimin. Shërbimi i fshehtë bëhet me agjentë gjyqësor apo qoftë edhe me punonjës patrulle e që shpeshherë më përpara është bërë në shumë sektorë të Policisë së Shtetit. Fukusohen kryesisht te ngjarjet e tyre. Kanë qenë jo të pakta ngjarjet gjatë periudhës së karrierës sime kur ndodhte që një person, i cili për një vepër penale që mund të ishte një krim i rëndë, p.sh plagosje e leht, etj,. ai mund të kishte qenë edhe person me precedent për vjedhje, të mendohet që “karrierën” e tij ai e ka nisur që nga vjedhja dhe ka përfunduar deri larg te krimi më i rëndë që ka kryer. Por forma bashkëpunimi, ura midis njëra-tjetrës nuk ka pasur”, thotë më tej eksperti.
Interaktiviteti mes policisë dhe publikut nëpërmjet publikimit të rasteve të tilla si vjedhja e delegacionit kanadez, sipas Kokës do të rriste reagimin proaktiv dhe ndihmues të publikut për identifikimin e autorëve në vepra të ngjashme, një model ky i sukseshëm i policisë amerikane.
“Mendimi im është që nuk ka absolutisht asgjë të keqe përderisa nuk prek hetimin, përderisa ne nuk kemi informacione për të identifikuar një person, perderisa nuk disponohen të dhëna, përderisa vazhdohet kuturu me informacionin në tërësi ku inspektorët, punonjësit e policisë gërrmojnë e kërkojnë dhe nuk kanë të mundur zbardhjen e një ngjarjeje, pse të mos publikohen. Ishte ky rasti ku u publikuan kamerat e sigurisë me Viktor Gushin dhe bëri të mundur dokumentimin e ngjarjes nga një qytetar që erdhi dhe e zbardhi ngjarjen. Të tilla raste për mendimin tim duhet t’i vihen në dispozicion medias dhe media nuk duhet t’i keqpërdorë këto pamje filmike. Dhe media nga ana tjetër, në qoftë se i merr këto pamje me mënyrat e veta, mirë do ishte që të konsultohej me policinë apo me prokurorinë. Gjërat që kanë të bëjnë me sekretin e hetimit nuk kanë përse të dalin në shesh. Gjëra që kanë të bëjnë me sekretin e hetimit mund të jetë një targë e fiksuar në vendngjarje që nuk mund të dalë. Por nëse një person është me maskë dhe nuk ka asnjë të dhënë për të pse të mos dalë. Dikush mund ta identifikojë nga sjellja, nga karakteristikat, veshja, statura e lartë që ka etj”, përfundon Koka.
Sipas statistikave nga Policia e Tiranës, për 6-mujorin e parë të vitit 2014, në total për vjedhjet e biznesit janë evidentuar 259 vepra penale, zbuluar 125 ose 48% e tyre me 99 autorë të proceduar, nga këta 55 shtetas janë arrestuar, 27 janë shpallur në kërkim policor, 17 ndiqen në gjendje të lirë, të cilat krahasuar me periudhën janar-qershor 2013, janë 91 vepra penale më shumë dhe krahasuar me korrik-dhjetor 2013 janë 89 vepra penale më shumë. Për vjedhjet me dhunë, në total janë evidentuar 79 raste, zbuluar 46 ose 56% e tyre me 39 autorë të proceduar, nga këta 28 shtetas janë arrestuar, 5 janë shpallur në kërkim policor, 6 ndiqen në gjëndje të lirë. Krahasuar me periudhën janar-qershor 2013 janë 4 vepra penale më shumë dhe krahasuar me korrik-dhjetor 2013 janë 6 vepra penale më shumë. Në analizën e riskut të policisë konstatohet se personat të cilët aktivizohen në këto lloj vjedhjesh janë shtetas adult me precedentë të mëparshëm dhe me përvojë në këto vepra. Zakonisht autorët veprojnë duke kërcënuar me thikë apo me armë të dyshuar. Ka raste kur autorët lagohen me motorr me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.





