Dyshohet se 17-vjeçari nga Gjilani Blend Selmani, që ishte për ekskursion, ra nga ballkoni i katit të katërt të një hoteli në Durrës duke ecur në gjumë
DURRËS, 3 tetor 2014 – Vdes tragjikisht një nxënës kosovar në ekskursion në Durrës dhe nuk raportohet nga policia e qarkut, teksa ngjarja bëhet publike nga mediat on-line.
Më 1 tetor 2014, në Gjilan të Kosovës është bërë varrimi i një maturanti, i cili gjeti vdekjen në Durrës.
Të hënën e kaluar, më 29 shtator 2014, në mbrëmje në Durrës, ka vdekur nxënësi Blend Selmani, nxënës i klasës XII në gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan të Kosovës, raportojnë mediet e Kosovës
Dyshohet se 17-vjeçari ra nga ballkoni i katit të katërt të një hoteli në Durrës duke ecur në gjumë.
Bekim Kryeziu, profesor i historisë në gjimnazin “Zenel Hajdini”, që ishte me nxënësit, tha se natën e aksidentit nuk u pa e as nuk u dëgjua diçka e pazakontë nga dhoma ku flinte viktima.
Drejtori i gjimnazit Bekim Mustafa tha se nxënësit u vendosën nëpër dhoma rreth mesnatës kur sipas tij mbaroi orari i argëtimit.
Megjithatë, ai tha se i ndjeri, me gjasë, është zgjuar nga gjumi dhe pa u kthjelluar ra nga ballkoni.
Trupi i viktimës arriti në Gjilan të martën, ndërsa varrimi i tij u bë të mërkurën, më 1 tetor.
Të gjithë nxënësit e gjimnazit “Zenel Hajdini” që janë nisur të shtunën, më 27 shtator 2014, në ekskursion për në Durrës u kthyen të hënën, më 29 shtator 2014, në Gjilan, së bashku me viktimën.
Maturanti Blend Selmani u varros, më 1 tetor 2014, i përcjellë nga mijëra qytetarë, si dhe nga nxënësit e shkollave të mesme të Gjilanit, e veçmas ata të Gjimnazit natyror dhe shoqëror, pjesë e të cilit ishte edhe i ndjeri.
U mbajt dhe një akademi përkujtimore.
Lutfi Haziri, kryetar i komunës së Gjilanit, ka thënë se, në një formë e një formë tjetër, të gjithë e kanë njohur Blendin, i cili sikurse të gjithë bashkëmoshatarët e tij luftoi për jetë, për mësim e për dije
Ndërkohë policia e Durrësit nuk e ka raportuar ngjarjen në komunikatën ditore.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





