DURRËS, 3 tetor 2014 – Ajo është 71-vjeçe dhe prej muajsh lëviz nëpër rrugët e Tiranës për të mbledhur fondet e saj për të realizuar një ndërhyrje të specializuar kirurgjikale në këmbë.
Ky është fati i trishtë i Sanije Gjonajt, e cila çdo ditë rend rrugëve të kryeqytetit të mbipopulluar sëbashku me bashkëshortin e saj, ulur në një karroce invalidësh, me një pankartë në duar, ku u apelon qytetarëve ta ndihmojnë për të kontribuar sadopak për ti shpëtuar asaj jetën. Rasti i tillë është publikuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Natë me Xhaxhiun”, në News24.
Teksa Sanija apelon për ndihmë, nuk harron të mbajë afër dhe pankartën, e cila për muaj me radhë është bërë dhe shpresa e saj e fundit. “Kërkoj ndihmë nga shtetit dhe kam nevojë të operohem. Jam nënë me 6 fëmijë dhe kam dhënë kontributin tim për shtetin dhe dua ndihmë”-kështu rrëfen për kamerën e News24 e moshuara.
Ndërsa i shoqi, Ismaili ka rrëfyer dhe vuajtjet e çiftit për të gjetur rrugën e sigurimit të fondeve për operacionin, por pa rezultat deri më tani.
Sinjali i parë i ndihmës për të moshuarën
Fill pas publikimit të rastit, erdhi dhe sinjali i parë i ndihmës për 71-vjeçaren. Mësohet se Spitali Gjerman ka ofruar ndihmën e tij për të parë nga afër rastin e zonjës Sanije, nëse do të jetë e mundur apo jo ndërhyrja kirurgjikale. Ky fakt bëhet i ditur nga vetë drejtori i këtij spitali, Përparim Sulkaj, duke ofruar kështu trajtim falas për të moshuarën.
/marrë nga BalkanWeb/





