DURRËS, 2 tetor 2014 – Sërish Durrësi arenë e artit ndërkombëtar, teksa të enjten, më 2 tetor 2014, në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, do të hapet edicioni IX i Festivalit të Dancit Modern dhe Kontemporan.
Sipas zyrës së shtypit të Festivalit, 9 trupa artistike nga Shqipëria dhe Zvicra, Kanadaja, Italia, Hungaria, Greqia, Kosova do të japin 15 shfaqje deri më 2 dhjetor 2014.
Festivalin do ta përurojë trupa nga Zvicra me pjesën e titulluar “Re-play”.
Ashtu si dhe vitet e tjera, festivali do të jetë në disa skena: Durrës, Tiranë, Elbasan, por dhe në Prishtinë.
Festivali Ndërkombëtar i Dancit Modern dhe Kontemporan është një projekt unik në Shqipëri, pasi përfshin një fushë të rëndësishme të artit skenik, për të cilën nuk ka ende një veprimtari të ngjashme.
Ai ka krijuar një traditë të përvitshme dhe synon të bëhet arenë e shprehjes së aspiratave krijuese të artistëve nga vende të ndryshme.
Edicioni i këtij viti mbështetet financiarisht nga Ministria e Kulturës dhe bashkia e Durrësit.
Festivali i Dancit, që organizohet nga shoqata “Bukuroshja e Durrësit”, ka nisur në vitin 2006 dhe deri tani në skenat e teatrit të Durrësit dhe Tiranës janë përballur artistikisht trupa dhe kompani të teatrit alternativ nga Kosova, Maqedonia, Suedia, SHBA, Franca, Holanda, Turqia, Italia, Kanadaja, Kroacia, Shqipëria, Izraeli, Hungaria, Sllovenia, Zvicra, Austria, etj.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





