DURRËS, 2 tetor 2014 –  Siguria e prodhimeve bujqësore-blegtorale që shiten nga ambulantët nëpër rrugë dhe jo në tregun e përditshëm të miratuar, ka qenë në qendër të një aksioni të përbashkët të inspektorëve të ushqimit, policive të bashkisë dhe asaj të shtetit.

Rreth 200 tregtarë ambulantë që shisnin  produkte bujqësore dhe blegtorale jashtë kushteve higjieno-sanitare në afërsi të rrugëve të qendrës së tregut fruta-perime të Durrësit janë dëbuar nga drejtoria rajonale e Durrësit e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU).

Kjo ka ndodhur në paraditen e 2 tetorit 2014 pas disa kontrolleve të ushtruara dhe ankesave të banorëve që banonin në pallatet pranë dhe që kishin shqetësime nga zhurmat dhe mbeturinat e tregut që mbeteshin të papastruara në orët e pasditeve.

Për realizimin e këtij aksioni, sipas kreut të AKU-së Durrës Altin Murto, janë mobilizuar rreth 15 specialistë të këtij sektori si dhe njësi të policisë bashkiake dhe asaj të shtetit (në foto).

Z. Murto ka deklaruar se në tregun zyrtar ka vende bosh, por nuk shkojnë të shesin atje ku prodhimet janë të kontrolluara.

Ndërhyrja është bërë pasi janë nxjerrë në terren për rreth 10 ditë radhazi të gjithë inspektorët, që kanë kërkuar informacione të detajuara lidhur me kushtet e tregtimit të frutave, perimeve, bulmetit dhe mishit.

Janë rreth 40-45 persona, të cilët janë të licencuar dhe paguajnë detyrimet ndaj bashkisë në këtë treg, ndërsa pjesa tjetër është jashtë skemës së kontrolleve dhe pagesave tatimore.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/