Durrës, 5 shtator 2014  – Brenda një dite janë regjistruar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës dy denoncime nga dy nëna që padisin ish bashkëshortët e tyre.

Megjithëse në qendër të denoncimeve ishin fëmijët e çifteve, çështjet ishin krejt të ndryshme nga njëra tjetra.

Ndërsa një 37 vjeçare nga Durrësi denoncoi burrin e saj fierak, shtetasin A.D., 36 vjeç për “rrëmbim” të fëmijëve, një 29 vjeçare nga Kruja deklaroi para uniformave blu se bashkëshorti e kishte braktisur atë dhe dy fëmijët e mitur.

37 vjeçarja durrsake pretendon se ish bashkëshorti nuk i ka kthyer në kohë fëmijët, pasi sipas tij ata po qëndronin në shtëpinë e tij me dëshirën e tyre. Por ky veprim i 36 vjeçarit fierak binte në kundërshtim me vendimin e gjykatës.

Ajo që të bën përshtypje është përkushtimi i dy prindërve meshkuj ndaj fëmijëve. Fieraku kërkon t’i mbajë më shumë nga ç’e lejon gjykata, ndërsa krutani 35 vjeçar P.M. prej muajsh i kishte braktisur dy fëmijët e tij të mitur bashkë me gruan.

Ndaj të dy meshkujve policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/