Tiranë, 5 shtator 2014 – Sfida ndaj Portugalisë mund të sjellë debutimin e mbrojtësit Taulant Xhaka me fanellën e kombëtares shqiptare. 23-vjeçari që aktivizohet me Bazelin në kampionatin zviceran është grumbulluar për herë të parë me kuqezinjtë, dhe nga La Coruna në një intervistë telefonike për Sport News tregon emocionet e para të aventurës në grupin e drejtuar nga Gianni De Biasi.
“Ndihem mirë, të gjithë më kanë pritur shumë mirë", thotë ai.
Pak ditë më parë mediat zvicerane shkruanin se zgjedhja e Taulantit erdhi si mungesë e ftesës së përfaqësueses Zvicerane në drejtim të tij. Por 23-vjeçari reagon mbi këtë fakt, duke theksuar se në mendjen e tij opsioni i vetëm ishte kombëtarja shqiptare.
“Nuk është e vërtetë, dëshiroja të luaja vetëm për Shqipërinë. Gashi më ka thënë fjalët më të mira dhe s'kam pas kohë per te menduar. I kam thënë menjëherë po Shqipërisë”, vijon me tej ai.
Debutimi i Taulant Xhakës me fanellën kuqezi pritet të ndodhë në një sfidë shumë të vështirë, përballë Portugalisë. Futbollisti i lindur në Bazel ende nuk e di nëse do të zbresë në fushë të dielën, por premton se do japë maksimumin. Nga fjalët e tij duket karikimi i grupit që premton të mos dalë pa pikë nga sfida e Aveiros.
“Trajneri cakton formacionin dhe nëse luaj do të jap maksimumin. Dashtë zoti marrim 3 pikët, por do të kënaqemi edhe me një pikë”.
Tek portugezët mungon Cristiano Ronaldo, dhe për mbrojtësin Xhaka ky është një lajm i mirë për Shqipërinë, pasi shanset për të marrë rezultat pozitiv rriten ndjeshëm.
“Më mirë që s’ luan Ronaldo, pasi ai është futbollisti më i mirë në botë. Në këtë mënyrë kemi më shumë shanse për të dalë me pikë nga kjo ndeshje”.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





