Durrës, 4 shtator 2014 –  Vasil Vava, djali i Elsa Vavës, të moshuarës që u vra dy ditë më parë në Durrës, bashkë me kunatën e saj Gjinovefën, tregon momentin kur i ka gjetur të pajeta nënën dhe hallën.

Në një intervistë për “Panorama”, Vava shprehet se ngjarja e rëndë ka ndodhur me qëllim grabitjen e parave që gratë e moshuara kishin kursyer nga pensionet. Ndërsa përjashton dyshimet se krimi mund të ketë ndodhur për motive pronësie.

Kush ishte personi i parë që u përball me krimin në shtëpinë e nënës tuaj?

Unë kam qenë i pari që jam futur në shtëpi. E kam ende skenën para sysh. Nuk e di se kur do më zhduket ajo pamje e tmerrshme me të cilën u përballa.

Ju shkuat rastësisht dje (të martën) në shtëpi, apo kishit dëgjuar ndonjë gjë të dyshimtë?

Unë shkoj thuajse çdo ditë që të shihja nënën, çdo mëngjes. Në fakt ato të dyja kanë qenë nëna për mua, sepse më kanë rritur. Nuk i kam ndarë asnjëherë nga njëra-tjetra. Pra, nuk është se kisha dëgjuar asgjë. Por ishte thjesht rutina e ditës. Shkova në mëngjes si çdo ditë tjetër dhe i pashë të vdekura të dyja. Që kur po ngjisja shkallët dyshova se diçka e rëndë kishte ndodhur, pasi shtëpia ishte e kthyer përmbys. Pastaj pashë nënën dhe hallën…

/gazeta “Panorama”/