Itali, 4 shtator 2014 – Gazeta italiane “Il Giorno”, në datë 25 gusht, dhe prestigjozja “Corriere della sera”, në datë 27 gusht, në dy artikuj të ndryshëm shprehin shqetësimin e tyre për rrezikun, që mund të vijë për shkak të vizitës së Papa Franceskut në Shqipëri, këtë 21 shtator.
Ky rrezik, siç shprehen këto medie italiane, vjen nga kërcënimi i celulave të ISIS-it në tokat e banuar nga shqiptarët, në Ballkan. Gazetat theksojnë se aleatët po e ndihmojnë Shqipërinë për problemet e sigurisë, përsa i përket vizitës së Papa Franceskut.
Në datë 3 shtator, e përditshmja “La Stampa”, në versionin print dhe online, apo Alessandrianews.it, Radiogold.it, etj kanë dhënë lajmin se trupat britanike të ardhura nga territori francez po kalojnë tranzit nëpër Itali. Destinacioni i këtyre trupave është porti i Barit dhe më pas me traget do mbërrijnë në Shqipëri në 4-5 shtator. Bëhet fjalë për një autokolonë me 22 mjete dhe 42 ushtarakë. Këto trupa natën e së martës e kaluan në qytezën e Ovada-s, rreth 100 km nga Torino, përkatësisht në hotel Vittoria, 28 persona dhe në hotel Belforte 14 persona.
Kolona pretendohet, që është e paarmatosur dhe ka me vete kryesisht pajisje ushtarake dhe karburant për helikopterë e mjete të tjera transporti. Kolona do të shoqërohet nga automjetet e karabinierisë deri në imbarkimin për në Shqipëri (të enjten) nga porti i Barit.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





