Tiranë, 29 gusht 2014 – Eksportet i sollën arkës së shtetit 23 miliardë lekë vetëm për muajin korrik. Ky është rezultati që Instituti i Statistikave ka bërë publike gjatë ditës së djeshme.

Tregtia e jashtme për muajin korrik të këtij viti shënon një ulje në masën e 5.7 për qind më pak krahasuar me muajin korrik të vitit të kaluar. Megjithatë sërish është një muaj që ka sjellë të ardhura më tepër se muaji qershori, me një vlerë prej rreth 2 për qind më tepër.

Rënie më të madhe vjetore ka pasur në eksportet e grupeve: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me pas ka qenë grupi i eksporteve “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” dhe ai i “Prodhime druri dhe  letre”.

Rritje më të madhe vjetore pati eksporti i grupit “Materiale ndërtimi dhe metale” me 17,3 për qind. Ndërkohë që importi ka pasur rezultate më të larta se eksporti. Në muajin korrik 2014 importi i mallrave arriti vlerën 47 miliardë lekë. Kjo vlerë është 2,8 për qind më e ulët krahasuar me muajin korrik të 2013-ës.

Po kështu ka pasur një rënie të lehtë krahasuar edhe me muajin qershor po të vitit 2014. Rënie më të madhe vjetore kanë pasur importet e grupeve: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”, pas tyre ka qenë grupi i “Materiale ndërtimi dhe metale” dhe ai i “Produkte kimike dhe plastike”. Ndërkohë rritje më të madhe vjetore pati importi i grupit “Lëkurë dhe artikuj prej tyre” me vlerë 32,7 për qind.

Shkëmbimet tregtare me vendet e Bashkimit Evropian zënë 68,7 për qind të të gjithë tregtisë. Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia, Greqia, Kina dhe Turqia.  

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/