Vlorë, 29 gusht 2014 – Isuf Brahimaj, 42 vjeç i cili humbi jetën mëngjesin e djeshëm në Vlorë, ka një kaluar kriminale për të cilën edhe Policia e Vlorës ka pasur informacione. Disa vite më parë viktima e kishte ndërruar mbiemrin dy herë, nga Isuf Koka në Bajramaj dhe më pas në Brahimaj. Ai kishte vuajtur edhe një dënim për trafik droge në Belgjikë dhe pasi e kishte kryer dënimin ishte kthyer në Shqipëri. Brahimaj mësohet se, kishte ndërtuar edhe një hotel të madh në zonën e Jonufrës të cilin do ta inaguronte këto ditë (ne foton poshte).
Dy kallëpe me lëndë eksplozive C4 (rreth 500 gramë), që janë aktivizuar me telekomandë në distancë, kanë mjaftuar për të çuar në fund qëllimin e të interesuarve: eliminimin e Isuf Brahimajt. Ai kishte rreth një muaj që ishte kthyer nga Holanda, shtet në të cilin jetonte pjesën më të madhe të kohës bashkë me të vëllain, Ermal Brahimaj.
Ky i fundit, më 31 gusht të vitit të kaluar i shpëtoi një atentati me bombë të telekomanduar në makinën e tij në Rrugën Transballkanike, vend ku ndodhi edhe ngjarja e djeshme. Policia e Vlorës bëri të ditur se automjeti tip “Mitsubishi” me targa AA 848 JX, që drejtohej nga Isuf Brahimaj, shpërtheu në ecje.
Një nga dëshmitarët në vendngjarje në momentin e shpërthimit të fuqishëm, një pronar lokali, tregon për “Gazeta Shqiptare” se shpërthimi ishte aq i fortë, sa rrëzoi shishe dhe objekte që gjendeshin në lokale e shtëpitë përreth.
“Mund ta krahasoj me një tërmet nga tronditja dhe me një bot gazi nga zhurma. Jemi trembur jashtëzakonisht shumë dhe fillimisht u shtrimë të gjithë në tokë. Ishte një skandal i vërtetë, një ngjarje shumë tronditëse. Pak pas shpërthimit, po dëgjoheshin thirrjet e një vajze. Dola nga lokali së bashku me klientë të tjerë, por të them të drejtën askush nuk guxonte të afrohej. Vajza ishte disa metra larg makinës, si duket nga presioni i madh i shpërthimit fluturoi jashtë, madje në një farë mënyre e shpëtoi, se vajza ishte e gjallë kur u transportua për në spital. Vajza qëndroi goxha në tokë” rrëfen ai.
Sipas tij, nga shpërthimi makina, objekt i sulmit, ishte spostuar nja 10 metra, ndërsa copat ishin hapur sa andej- këtej.
“Dukej si Bagdad vërtet… Traumatizimi bëri që njerëzit të largoheshin me vrap. Ç'të të them!” thotë pronari i lokalit.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





