Durrës, 28 gusht 2014  – Vodhën me dhunë 59 vjeçarin, prangosen.

Dy të rinj nga Durrësi, autorë të dyshuar të një grabitjeje të regjistruar në zonën e plazhit, janë arrestuar nga policia, pasi grupi hetimor arriti të zbardhë dinamikën e vjedhjes së ndodhur një ditë më parë në plazh.

Mësohet se Elvis Hasani, 21 vjeç, banues në Shkozet, i dënuar e akuzuar disa herë më parë për vjedhje, shitje narkotikësh dhe plagosje si dhe adoleshenti K.M.,  16 vjeç, banues ne Durrës, i akuzuar më parë për vjedhje kanë sulmuar ditën e mërkurë, rreth orës 16.30, poshte mbikalimit te Ures se Dajlanit, 59 vjeçarin E.V. dhe pasi e kanë shtrirë përtokë duke e goditur me grushta e shkelma i kanë marrë orën që mbante në dorë, unazën e floririt si dhe portofolin.

Pas punës hetimore dhe identifikimit të autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje, gjatë kontrolleve të ushtruara shtetasit K.M. iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale ora e vjedhur, e markës Tissot.

Ndërkohë rezultoi se unaza është shitur prej tyre në një argjendari kundrejt vlerës prej 7.000 lekë dhe është shkrirë, ndërsa portofoli i vjedhur pas marrjes së shumës së të hollave në të është hedhur.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/