Itali, 28 gusht 2014 –  Ricky Alvarez lë Interin për t'u transferuar në Premier League te Sunderlandi. Drejtuesit e klubit zikaltër e kanë arritur tashmë marrëveshjen me shoqërinë angleze për kalimin e mesfushorit argjentinas në “Stadium Of Light”. Alvarez transferohet te Sunderlandi në huazim për 1 milionë Euro, me të drejtë blerjeje verën e ardhshme nga klubi anglez për 11 milionë Euro, gjithmonë nësë macet e zeza arrinë të mbijetojnë në kategorinë më të lartë të futbollit në ishull.

Tek skuadra e drejtuar nga trajneri Gus Poyet, 26-vjecari i lindur në Buenos Aires do të përfitojë 1,6 milionë Euro në sezon, një pagë kjo më e lartë se ajo që Alvarez përfitonte aktualisht tek Interi. Por nga 18-herë kampionët e Italisë nuk do të largohet vetëm ish lojtari i Velez pasi edhe Fredy Guarin po qëndron me valixhe në duar. Mesfushori kolumbian kërkohet me ngulm nga Zeniti i Shën Petersburgut, me Andre Villas Boas që dëshiron ta ketë sërish në dispozicion të tij 28-vjecarin. Klubi rus i ka ofruar Interit 12 milionë Euro por zikaltrit nuk kërkojnë ta lënë të lirë mesfushorin e tyre pa të paktën 14 milionë Euro. 

Gjithsesi marrëveshja mes drejtuesve të Interit dhe atyre të Zenitit mund të arrihet, por që ky operacion merkatoje të realizohet me sukses duhet bindur edhe Guarin i cili momentalisht është në pritje të Juventusit dhe nuk është i predispozuar të pranojë një transferim në Rusi. Megjithatë sido që të shkojnë në lidhje me Guarin, drejtuesit e Interit në këtë ditë të fundit të merkatos duhet të gjejnë një zëvendësues për Alvarezin. Jonathan Biabiany është emri më i përfolur që mund tu bashkohet zikaltërve, gjithsesi shoqëria italiane po ndjek me vëmendje edhe pistën që të con te Xherdan Shaqiri. 22-vjecari i lindur në Gjilan pëlqehet sëtepërmi nga trajneri Mazzari dhe Interi do të bëjë një tentativë për ta transferuar atë San Siro edhe pse për të bindur Bayernin do ta ketë shumë të vështirë.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/