Gjermani, 28 gusht 2014 –  Pep Guardiola është një prej trajnerëve më të suksesshëm gjatë viteve të fundit duke u vlerësuar jo vetëm si një mjeshtër i taktikës por gjithashtu dhe për autoritetin e tij në stërvitje.

Por nëse deri tani spanjolli na ishte shfaqur relativisht si një tip i qetë, në stërvitjen e fundit të skuadrës, e cila ishte e hapur dhe për tifozët, Guardiola ju hakërrye Thomas Mullerit jo vetëm duke e kritikuar këtë të fundit, por dhe duke e mbërthyer prej qafe pasi futbollisti nuk po zbatonte këshillat e tij taktike.

Muller, një kampion bote, as nuk guxoi t’i kthente fjalën trajnerit të tij.

Gjithsesi kjo nuk ishte hera e parë që Guardiola kritikon hapur Mullerin në stërvitje, pasi fiks një vit më parë më 26 gusht të 2013 trajneri spanjoll gjithashtu u kap nga kamerat teksa përpiqej t’i shpjegonte me tone të larta idetë e tij taktike futbollistit të kombëtares gjermane.

Këtë fundjavë Bayerni do të përballet me Schalke 04 në kampionat dhe një gjë është e sigurt, vetëm karikimi nuk do t’i mungojë bavarezëve.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/