Vlorë, 26 gusht 2014  – Rreth orës 15.00 në sallën operative të Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë, është marrë njoftim se në malin e Shashicës është vrarë me armë zjarri, 26-vjeçari Daniel Vasil Likaj, banues në fshatin Lapardha.

Menjëherë në vend kanë shkuar të gjitha shërbimet e policisë dhe është ngritur një grup i posaçëm hetimor.

Nga veprimet e para hetimore të kryera në vendngjarje, ka rezultuar se viktima së bashku me dy persona të tjerë kanë qënë duke ecur në malin e Shashicës, kur 3 persona të panjohur prej tyre, të armatosur me automatikë Kallashnikov u kanë dalë para dhe pas një grindjeje të çastit për motive të dobëta, kanë qëlluar në drejtim të viktimës dhe janë larguar menjëherë.

Po punohet intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/