Tiranë, 25 gusht 2014 – Përveç atyre që e kanë mbështetur nismën “Ice Bucket Challenge”  që nisi para dy vitesh në SHBA, për mbledhjen e donacioneve për të sëmurët e dignostikuar me ALS (Skleroza Laterale Amiotrofike), ka të tjerë që tregohen skeptikë.

Në profilin e saj në facebook, mbesa e ish-Kryeministrit Berisha, Dasara Malltezi, u drejtohet kështu personazheve që janë bërë pjesë: ”Më bëni shumë përshtypje të gjithe ju me këtë kovën e ujit në kokë. Mbase jam thjesht unë që nuk kuptoj se si ai uji që hidhni në kokë ju kthehet donacion, aq më tepër kur në 2-3 ditët e para që u përhapen videot, thuhej që ishte për fëmijët në Afrikë. Nëse doni të ndihmoni, bëni një donacion, sepse me të vërtetë ndjeni se duhet të bëni diçka. Në të kundërt, ajo kova me ujë që ju hidhni në kokë, ka vetëm tri arsye për t’u bërë: E para, keni qejf ta bëni dhe ju një video si gjithë të tjerët dhe normal të shoqëruar me hashtage. Së dyti keni qejf të bezdisni njerëzit më të famshmet “nominime”, që personalisht më duken patetizma. Dhe, së treti, keni shumë kohë pa bërë dush dhe doni të vrisni 2 zogj me një gur, ok për këtë ju përgëzoj! Dëshira për të qenë njerëz të pastër është progres. Gjithsesi, të tria arsyet e kovës janë egoiste, ndërsa nëse jua ndien me të vërtetë kaq shumë për këtë çështje (që as që ja keni haberin çfarë sëmundje është një herë), bëni një donacion”.

Nismëtari i “Ice Bucket Challenge” ishte 29-vjeçari Pete Frates, ish-bejsbollist, i cili pasi u dignostikua me këtë sëmundje, kërkoi mbështetjen e botës, për të mundësuar kërkimet shkencore në gjetjen e kurës.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/