Dy persona janë arrestuar në Gjirokastër, pasi dyshohet se transportonin me autobusë sasi produktesh shtazore, mish dhe peshk, të kontrabanduara nga Greqia dhe të papajisura me dokumentacion tatimor.
Operacioni i koduar “Ngarkesat” u finalizua nga specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Gjirokastër, në bashkëpunim me shërbimet e PKK Kakavije dhe specialistët e AKU Gjirokastër, në kuadër të planit të posaçëm të masave kundër kontrabandës dhe shkeljes së parametrave të sigurisë ushqimore.
Në pranga ranë shtetasit A. B., 54 vjeç, banues në Gjirokastër, dhe K. M., 46 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrolleve me skaner, në vijën e dytë të kontrollit, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, në dy autobusë pasagjerësh të linjave “Athinë-Gjirokastër” dhe “Athinë-Shkodër”, që drejtonin të arrestuarit, u konstatuan 31 pako me produkte shtazore, mish dhe peshk.
Sipas policisë, produktet po transportoheshin në cenim të kritereve higjieno-sanitare dhe dyshohet se ishin kontrabanduar nga Greqia, pasi nuk ishin të pajisura me dokumentacion tatimor.





