Policia e Lezhës ka bllokuar një automjet “Rolls-Royce” në kuadër të kontrolleve ndaj automjeteve luksoze.
Kontrollet janë kryer me qëllim evidentimin dhe verifikimin e mjeteve që dyshohet se mund të jenë përfituar nga veprimtaritë kriminale, si dhe parandalimin e trafikimit të tyre.
Bllokimi i makinës u bë për shkak të mungesës së dokumentacionit, ndërsa ka nisur hetimi pasuror për pronarin e automjetit, banues në Mbretërinë e Bashkuar.
Njoftimi i policisë:
Strukturat e Policisë së Lezhës kanë intensifikuar kontrollet ndaj automjeteve luksoze, me qëllim evidentimin dhe verifikimin e mjeteve që dyshohet se mund të jenë përfituar nga veprimtaritë kriminale, si dhe parandalimin e trafikimit të tyre.
Në kuadër të këtyre kontrolleve, strukturat për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe të Policisë Rrugore, kanë kryer kontrollin e një automjeti luksoz që kanë konstatuar në qytetin e Lezhës.
Nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare janë kryer verifikime lidhur origjinën, historikun e blerjes, shitjes dhe posedimit të automjetit, mbi pronësinë dhe burimin e të ardhurave me të cilat është blerë automjeti.
Në përfundim të verifikimeve, është kryer bllokimi administrativ i automjetit “Rolls-Royce” për mungesë dokumentacioni dhe ka nisur hetimi pasuror për pronarin e automjetit, shtetasin F. M., banues në Mbretërinë e Bashkuar.
Policia e Lezhës do të vijojë kontrollet e përbashkëta dhe verifikimet ndaj automjeteve luksoze, me qëllim evidentimin e pasurive me burim kriminal dhe goditjen e pastrimit të produkteve të veprimtarive kriminale.





