DURRËS, 26 gusht 2014 –  Shqepet kalldrëmi midis shatërvanit dhe bar  Center, kështu së shpejti do të marrë fund “mbretërimi” i shatërvanin 85-vjeçar, i cili do të zhvendoset në një shesh tjetër.

Një ditë pas botimit të formularit të njoftimit të fituesit të tenderit për rikualifikimin e sheshit “Liria” (faza II), shoqëria e ndërtimit “Everest” e Kamzës nisi punimet, që u “përuruan” me shqepjen e kalldrëmit në lindje të shatërvanit historik, emblemë 85-vjeçare e qytetit bregdetar.

Në ditët në vazhdim do të shqepen edhe trotuaret përreth, lulishtja e vogël.

Projekti i ri parashikon ndërtimin e infrastrukturës së gjelbër; krijimin e “ekodistrikteve” ose “mikroklimave” me karakteristika të tilla si ngrohje dhe ftohje natyrore nëpërmjet vendosjes së gjelbërimit e infrastrukturës ujore (shatërvani në qendër të sheshit).

Sikurse është bërë e ditur, heqja e shatërvanit ka shkaktuar polemika mes njësisë së qeverisjes vendore dhe OJQ-ve (shoqata  Durrësi, forumi për mbrojtjen e trashëgimisë, shoqata për mbrojtjen e konsumatorit etj.).

Bashkia dhe kryetari i saj z. Vangjush Dako gjetën një zgjidhje kompromisi, duke e zhvendosur shatërvanin pë një shesh tjetër.

Operacioni delikat për heqjen e objektit, i cili nuk duhet dëmtuar, do të fillojë kur përfundimisht do të përcaktohet “vendbanimi” i ri, tha bashkia.

Ky investim nga buxheti i shtetit me fondin limit 137 881 628 lekë (rreth 1 milion euro), ku firma fituese ofroi 129 793 869 lekë (940 mijë euro) ose 94,1 për qind të shifrës së akorduar, duhet të përfundojë brenda 365 ditëve (shtator-tetor 2015).

Sipas qeverisë vendore, sheshi emblematik i qytetit antik 2300-vjeçar shfaqet sot si një hapësirë e madhe, e copëzuar, kundrejt nevojës për funksione, që sot i kërkohet të ketë një shesh i madh bashkëkohor.

Projekti do të rivlerësojë identitetet e shkuara përmes një imazhi të ri, të një peizazhi të ri urban.

Riprojektimi i sheshit qendror – sheshi Liria – prej shumë kohësh një hapësirë, ku zhvillohet jeta publike, përbën një rast të favorshëm për konsolidimin e një procesi të nisur dhe destinuar për kualifikimin e një organizmi të tërë urban e metropolitan. Nëpërmjet këtij aktiviteti qyteti i Durrësit kërkon të komunikojë imazhin e një qyteti në lëvizje, aktiv.

Ky projekt i jep kësaj hapësire rolin e rivendosjes së lidhjes mes pjesëve të ndryshme të qytetit, përmes rikuperimit të trajtave të kujtesës urbane, pa harruar të tashmen por duke e përqendruar vëmendjen në vendet që përbëjnë imazhin e aksit e të vetë qytetit.

 

Info

Në tenderin e zhvilluar më 18 korrik 2014, morën pjesë 6 operatorë ekonomikë, nga të cilët 4 ishin bashkime shoqërish.

Sipas njoftimit të baskisë, u paraqitën: 

1. RIVIERA + G. P. G. Company + SPARTAKU, me ofertë 106 167 726 lekë.

2. CURRI SHPK + GECI SHPK me ofertë 119 140 364 lekë.

3. EVEREST me ofertë 129 793 869 lekë.

4. GJIKURIA + "BIBA-X" me ofertë 131 668 354 lekë.

5. FUSHA + SHANSI INVEST me ofertë 133 541 516 lekë.

6. SALILLARI me ofertë 134 888 323 lekë.

Por 5 firma të njohura u shkualifikuan thjesht për shkak të nënvlerësimit të kërkesës së projektit për “ndriçuesin që inkastrohet në tokë, ndriçuesin shtyllë, ndriçuesin e shkurtër (50 cm), ndarësen e trafikut me ndriçues”, teksa bashkia e konsideron të rëndësishëm “ndërtimin e infrastrukturës elektrike me ndriçim me konsum të ulët energjie (led) me ulje rreth 60 për qind të konsumit të energjisë nga llambat e përdorura në disa zona të tjera të qytetit”.

Njoftimi i klasifikimit është bërë më 31 korrik 2014, ankesat kanë marrë përgjigje më 8 gusht 2014, kurse formulari i njoftimit të fituesit (shoqëria me 6 ortakë   EVEREST  në Kamëz të Tiranës me ofertë 129 793 869 lekë) është bërë më 25 gusht 2014.

Fotot e datës 26 gusht 2014 janë të gazetarëve Dorian Agolli dhe Mark Brunga.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/