Durrës, 26 gusht 2014 – Pas humbjes në ndeshjen e parë të kampionatit me Flamurtatin, skuadra e Teutës ka nisur përgatitjet për sfidën e fundjavës me Vllazninë. Mbrojtësi durrsak Rustem Hoxha tha se skuadra po stërvitet me intensitet të lartë dhe po analizon gabimet e bëra në përballjen me vlonjatet.
Ai tha se humbja në Vlorë nuk duhet ta demoralizojë skuadrën pasi kampionati është ende i gjatë dhe ka shumë ndeshje për t’u luajtur.
“Kemi nisur përgatitjet për ndeshjen me Vllazninë, ndaj të cilës kemi synim të sigurojmë tre pikët e para për këtë kampionat. Do të përpiqemi që gjatë përgatitjeve të përmirësohemi, në krahasim me ndeshjen e fundit dhe të rikuperojmë gabimet që bëmë ndaj Flamurtarit. Sigurisht që humbja në Vlorë nuk duhet të na demoralizojë, por na shtyn që të kërkojmë fitoren me çdo kusht ndaj Vllaznisë. Besoj se do të jetë një ndeshje shumë e fortë dhe shumë e luftuar nga të dyja skuadrat, pasi kundërshtari sikurse edhe ne la pikë në fushën e tij dhe do të kërkoje të rikuperojë. Ne u kërkojmë ndjesë tifozerisë për paraqitjen në Vlorë dhe u premtojë se shumë shpejt do të rikthehmi në identitet”, u shpreh fillimisht mbrojtësi.
Në kampin durrsak mbizotëron besimi se do të kthehen tek fitorja në sfidën me Vllazninë, të cilën do ta luajnë të dielën në shtëpinë e tyre, në stadiumin “Niko Dovana”.
“Çdo skuadër pas humbjes nuk ndihet e qetë, por ne do të përpiqemi ta kalojmë me sportivitet këtë periudhë. Çdo skuadër nuk ka ekuilibër në fillim të kampionatit, pavarësisht disa skuadrave që kanë fiksuar rezultat pozitiv. Ne humbëm në Vlorë, por nuk ndihemi inferior ndaj asnjë skuadre. Kjo ishte ndeshja e parë e sezonit dhe çdo rezultat ishte i pranueshëm, aq më tepër që luanim në transfertë dhe ndaj një kundërshtari shumë të fortë. Situata në skuadrën tonë është normale dhe shumë shpejt do të rikthehemi tek fitorja. Ndaj Vllaznisë do të japim maksimumin tonë, pasi nuk na lejohet asnjë hap tjetër i gabuar”, përfundon Hoxha.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





