Tiranë, 26 gusht 2014  – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në shtator do të vizitojë zyrtarisht Serbinë. Lajmi bëhet i ditur nga mediat serbe, konkretisht nga B92. 

Sipas mediave, mësohet se ftesa e kryeministrit serb Aleksandar Vuçiç ka mbërritur në kabinetin e Kryeministrisë shqiptar dhe tashmë ngelet vetëm përcaktimi i një date fikse se kur do të kryhet vizita zyrtare. 

Vizita e kryeministrit Rama ishte parashikuar të ndodhte në fillim të vitit 2014, por u shty për shkak të zgjedhjeve të jashtëzakonshme që u mbajtën në mars në Serbi. 

Herën e fundit që një qeveritar i lartë ka vizituar Beogradin ka qenë viti 1947, kur Enver Hoxha ishte mysafir i Josip Broz Titos. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/