·        Kandidatura Duka është një kundërshtar jashtëzakonisht serioz anti-Dako

Nga Gjergj Thanasi

Durrës, 25 gusht 2014  – Media online Opozita.com  në një rubrikë të saj “Dosja IMEI” jep lajmin surprizë për përgatitjet për kandidim të deputetit republikan Agron Duka për PD-në dhe koalicionin e saj kundër Vangjush Dakos dhe të majtës në Durrës. Kjo rubrikë në pamje të jashtme të kujton rubrika satirike si psh. “E çmendura N” e gazetës ‘Albania’, “Vipa dhe rripa” e ‘Koha jonë’, “Antena brenda familjes” e ‘Tema’ etj. Në fakt kjo rubrikë pretendon për bërje publike të mesazheve telefonike të VIP-ave shqiptarë, të interceptuara nga Opozita.com. Që Partia Demokratike e ka treguar me prova se ka interceptuar SMS dhe biseda telefonike midis Ministrit të Brendshëm Tahiri dhe Kryeministrit Rama, kjo nuk ka nevojë për vërtetim, por që shkëmbimi i mesazheve midis deputetit republikan Mediu dhe ministrit të LSI-së Lefter Koka të paraqitura te Dosja IMEI ka ngjarë me të vërtetë, kjo mbetet për t’u vërtetuar.

Në thelb të këtij “përgjimi“ është një shkëmbim mesazhesh të deputetit Mediu dhe ministrit Koka për mundësinë e kandidimit të deputetit republikan Duka për kryetar të superbashkisë Durrës. Deputeti Mediu i kërkon ministrit Koka të mos kandidojë në emër të së majtës në Durrës, për të mos pasur një përplasje të panevojshme midis kunetërve në zgjedhjet lokale të vitit 2015.

A ka të ngjarë të kemi një zhvillim të tillë politik në Durrës me pasoja jo thjesht lokale? Normal që ka të ngjarë. Nuk përbën më çudi në skenën politike shqiptare, që personazhe VIP të saj të fluturojnë nga krahu i majtë në të djathtë dhe anasjelltas. Tashmë vetëm debilët janë besnikë, po, po debilët si puna e asaj të mjerës nga Berati, që nuk donte as ujë as drita, vetëm Likja mos të grindej me Tosin. Fundi i fundit edhe kandidimi i z. Duka në listën e PR-së në 2013 u bë me një OK paraprak që Shkëlzen Berisha i dha republikanit Mediu. Kur Kaçi i zi, Kaçi kafkathyes i demokratëve u bë deputet demokrat, atëhere nuk ka asnjë arsye që Berisha mos të kandidojë në Durrës në emër të PD-së dhe të së djathtës një eksponent të ish Klanit të Zemunit, shprehje kjo e përdorur nga vetë z. Berisha vite më parë.

Duke e marrë  të mirëqenë një kandidaturë Duka djathtas në Durrës do përpiqemi të parashikojmë sesi mund të zhvillohet beteja politike: Durrës 2015. Kandidatura Duka është një kundërshtar jashtëzakonisht serioz anti-Dako. Në mënyrë figurative mund të themi se Duka në luftë për fronin e kryebashkiakut ka në dispozicion pushtet, para e pushkë. Ai nuk është as kandidatura Teliti, tangërllikse, mendjemadhe e me mendje në hava, as kandidatura Xhaferraj e lënë prapa nga koha dhe e tradhtuar nga segmente të qënësishme të PD-së durrsake. Kësaj rradhe Vangjush Dako realisht do të provojë sesa i vlen lëkura.

Një kandidim i Dukës realisht i sjell Dakos një rrjedhje në 90% e më shumë të votës pragmatiste-interesaxhije të LSI-së, pavarësisht se sa për formë ministri Koka mund të dalë në një tribunë me Dakon gjoja në mbështetje të tij. Mbetet 10% teorik i votave të LSI-së të të pakënaqurve nga ndarja e “byrekut“ të vitit 2013. Gjithsesi, këta të pakënaqur më shumë shpresojnë, që do u vijë rradha për një thelë edhe atyre duke i qëndruar besnik Kokës dhe LSI-së, sesa të votojnë për Dakon, i cili në disa raste nuk është treguar aq racional sa LSI-ja në ndarjen e “tortës“ së pushtetit.

Vota rurale (Sukth, Manzë, Ishëm, Rrashbull etj) e superbashkisë Durrës do jetë më e ndikuar nga një kandidat si Duka, për këtë mjafton të kujtojmë votimet e vitit 2013, ku krejt papritmas në Ishëm na dolën nja 200-300 repubikanë, që kontribuan edhe ata në bërjen e z. Duka deputet republikan. Nuk mjafton avantazhi I thellë, që gëzon Dako brenda qytetit të Durrësit për të pasur një fitore të sigurtë në 2015, kur përballë ke një kandidaturë të profilit të lartë. Duke huazuar një term futbolli mund të themi se kandidatura Duka mund ta markojë Dakon në çdo gjë: në para, në njerëz, në vullnet për të fituar me çdo kusht e çdo mjet superbashkinë Durrës. Madje, edhe në përdorimin e të fortëve Duka arrin ta markojë pa vështirësi Dakon, për më shumë që të fortët e këtij të fundit janë përgjithësisht në varr ose të dënuar me burgim të përjetshëm.

A do të thotë kjo që një kandidaturë VIP si Duka e nxjerr Dakon automatikisht të mundur? Sigurisht jo. Dako ka goxha hapësirë për të luajtur dhe fituar. Në qytetin e Durrësit Dako mund të thellojë avantazhin nëse me mençuri dhe me efikasitet arrin t’u kujtojë durrsakëve si e qeverisën Durrësin dhe si i trajtuan durrsakët Kokë-Dukët në të shkuarën e afërme, duke shpresuar që durrsakët do t’ia falin edhe ndonjë aspekt të keqqeverisjes së qytetit nga vetë Dako.

D.M.TH. Dako mund të luajë me lutjen, që durrsakët të votojnë Dakon jo si të  mirën më të madhe, por si të keqen më të vogël. Nëse Dako është fleksibël, mund të thithë edhe votuesin e pakënaqur të PD-së, që nuk mund ta gëlltisë dot faktin të votojë për Dukën. Kujtojmë se klani anti Osman Stafa në PD me pak punë dhe “argumente bindëse“ mund të votojë Dakon dhe jo Dukën, edhe sikur vetë Berisha e Lul Basha të bëjnë propagandë pro Dukë.

Vangjush Dako me pak kujdes mund të konsolidojë edhe ato vota të PS-së, që kanë dalë si rruar qethur nga fitorja e PS-së në 2013. Mjafton, që votues të tillë të binden, se pjesën e “tortës“, që u takonte atyre e ka gllabëruar LSI-ja, që nënkupton Koka-Dukën. Pra një humbje e Dukës është një mundësi për t’u shpërblyer për kontributet e vitit 2013 dhe ato të vitit 2015.

Dako, nëse ka intelegjencën dhe “know-how “-in e nevojshëm, fare mirë mund të bëjë aleat të vetin faktorin jashtëzakonisht të rëndësishëm euro-atlantik. Për këtë mjaftojnë të identifikohen kontaktet e nevojshme, dhe Dako t’u provojë atyre se mund të japë kontribut të qenësishëm, në betejat e euro-atlantikasve kundër terrorit, krimit të organizuar dhe sidomos krimit transnacional.

Rezultati i betejës së ardhshme mbetet një enigmë e madhe, sepse një zot e di se cilin do të caktojë Berisha-Basha për t’u përballur me Dakon në mejdanin e vitit 2015. Kandidatura Duka është një propabilitet i lartë, po jo detyrimisht një fakt i kryer.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/