DURRËS, 25 gusht 2014 – Menaxheri i zot (nuk është kot milioner me rreth 11 milionë euro ose 27,75 për qind të kapitalit themeltar të së famshmes Banka Credins), z. Renis Tërshana nuk le të bien për tokë edhe “thërrime”, teksa fitoi dy tenderë me vlera, përkatësisht, rreth 36 mijë euro dhe 17 mijë euro.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (DPD) njofton më 25 gusht 2014 se ka shpallur fitues të dy tenderëve të organizuar prej saj në formën e kërkesës për propozim “R&T Group” shpk me ortak të vetëm z. Renis Tërshana, por që është edhe ortaku kryesor me 27.75 të kapitalit themeltar të Bankës Credins në vlerën 1 509 335 856.95 lekë (10 937 216 euro).
Është fjala për prokurimet e mirëmbajtjes së pajisjeve të kontrollit, skanerë si dhe mirëmbajtjes së pajisjeve të kontrollit të lëndëve radioaktive.
Është interesant fakti që në të dy tenderët kanë marrë pjesë vetëm dy firma, të njëjtat, ku “R&T Group”-i ia ka “ngecur” në të dy rastet “A. E. Distribution”-it me një diferencë fare të papërfillshme në raport me njëra tjetrën, por edhe me fondet limit.
Kështu në tenderin “Mirëmbajtje e pajisjeve të kontrollit, skanerë” me fondin limit 5 033 120 lekë, shoqëria “A. E. Distribution” shpk ofroi një vlerë 5 025 560 lekë, që ishte vetëm 26 420 lekë (191 euro) më madhe se ajo e shoqërisë “R&T” shpk dhe vetëm 26 420 lekë poshtë fondit limit.
E njëjta diferencë e vogël mes konkurrentëve dhe fondit limit është vërejtur dhe në tenderin “Mirëmbajtje e pajisjeve të kontrollit të lëndëve radioaktive” me fondin limit 2 317 000 lekë, ku fitoi shoqëria “R&T” shpk, me ofertë 4 999 140 lekë (17 mijë euro), me një diferencë prej 17 780 lekë (129 euro) më pak se shoqëria “A. E. Distribution” shpk dhe 27 280 lekë poshtë fondit limit.
Nuk mund të spekulohet se mund të kemi të bëjmë me marrëveshje paraprake mes ofertuesve, por gjithsesi janë dy rastësi të habitshme.
Megjithatë mund të thuhet se shoqëria “R&T Group” shpk ka përvoja të ngjashme me ish-drejtuesit blu të DPD-së.
Sipas deklarimit të “R&T Group” shpk, kjo e fundit ka fituar kontrata si “Mirëmbajtja e pajisjeve të kontrollit të degëve doganore, Rinas, Durrës, Vlorë, Kakavijë, Koliposta Tiranë”, për vitin 2012”
Fituesja e dy tenderëve thotë se “Shoqëria R&T Group ka implementuar një sërë sistemesh të detektimit të lëndëve radioaktive, të instaluara në pikat e kontrollit doganor në kufi me vendet fqinjë si dhe portet e Shqipërisë; sisteme të sofistikuara, të modelit YANTAR 1 dhe YANTAR 2, të prodhuara nga kompania autoritare ruse ASPECT, e njohur ndërkombëtarisht për nivelin e lartë të teknologjisë së aplikuar prej saj”.
Megjithatë shtypi ka denoncuar, të paktën, në rastin e Durrësit se pajisjet e kontrollit doganor kanë pasur defekte të shumta, saqë kanë alarmuar dhe shërbimet e huaja sekrete partnere të Shqipërisë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





