Tiranë, 25 gusht 2014  – Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive ka bërë sot një kallëzim penal ndaj Auron Tares, kreut të Agjensisë Kombëtare të Bregdetit për mosdeklarim të pasurisë. Përveç kësaj, Inspektoriati do t’i kërkojë Ministres së Turizmit, Eglantina Gjermeni, të marra masa ndaj vartësit të saj.

Lajmin e bën të ditur zyrtarisht ky institucion. Në njoftimin e lëshuar prej tij thuhet:

“Më datë 25 gusht 2014, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, paraqiti pranë organit të akuzës kallëzim penal ndaj subjektit deklarues Auron Tare, me funksion Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit në Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, pasi nga verifikimet e kryera rezultoi të jetë në shkelje të nenit 257/a të Kodit Penal.

Pas depozitimit të kallëzimit penal, Inspektori i Përgjithshëm do të njoftojë dhe institucionin epror të këtij zyrtari, duke kërkuar në këtë mënyrë marrjen e masave disiplinore në përputhje me kërkesat e ligjit.”

Neni 257/a i Kodit penal flet për refuzimin e deklarimit, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë".

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/