- Barka e shpëtimit në foto duket qartë që ështe jashtë përdorimit …..
Durrës, 24 Gusht 2014 – Gazetarja Monika Arkadio (Monica Arcadio) e gazetës “Il Quotidiano Italiano” në një reportazh të sajin për linjat e trageteve Bari-Durrës vëren se terminali i pasagjerëve në Durrës krahasuar me atë në Bari është i pajisur më mirë për të përballuar fluksin e pasagjerëve gjatë sezonit veror. Burokracia në Portin e Durrësit (dogana dhe policia kufitare) është më e pakët se në Portin e Barit. Ka rënë edhe niveli i punëve të pista, që më parë bëheshin thuajse hapur në Portin e Durrësit.

Problem mbeten tragetet, që mbulojnë linjën ndërmjet dy porteve. Përgjithsisht janë shumë të vjetër dhe kanë probleme përsa i përket konfortit të pasagjerëve. Gazetarja madje i quan karro për transport kafshësh. Ajo vëren se në sezonin veror me to transportohen deri 1 500 udhëtarë në një rrugë, kryesisht shqiptarë. Ka mungesa sigurie edhe në sistemet bazë të këtyre trageteve. Në tragetin Claudia të kompanisë Adria Ferries për shembull barka e shpëtimit ishte e shpuar dhe jashtë përdorimit. Në rast mbytje trageti një barkë e tillë do të shkaktonte viktima ndër pasagjerët.
Shpresojmë, që ky reportazh i gazetares italiane të jetë këmbanë për autoritetet portuale sidomos Kapitanerinë dhe Regjistrin detar, që të ndërmarrin kontrolle dhe të ndëshkojnë këto tragete, që arrijnë deri aty sa të luajnë me jetën e pasagjerëve.
/Gj. Th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





