Të paktën pesë persona kanë humbur jetën dhe 87 të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një traget u përfshi nga flakët në brigjet e provincës filipinase Palawan, një prej destinacioneve të njohura turistike të vendit.

Incidenti ndodhi të mërkurën në bordin e tragetit MV June Aster, i cili, sipas mediave lokale, transportonte 117 pasagjerë dhe 17 anëtarë të ekuipazhit.

Zëdhënësja e Rojës Bregdetare Filipinase, Komodorja Noemie Cayabyab, bëri të ditur se 42 persona janë shpëtuar. Ajo tha se operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë në zonën ku ndodhi incidenti.

Roja Bregdetare Filipinase dërgoi ekipet e reagimit pasi mori njoftimin për zjarr në bordin e tragetit, në ujërat rreth 1.2 milje detare, ose 2.2 kilometra, në verilindje të Barangay Marcilla, në Coron të Palawan.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e zjarrit, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për personat e zhdukur.