Durrës, 24 Gusht 2014 – Teuta humbet ndaj Flamurtarit i cili e nis kampionatin me një fitore 2-1 ndaj Teutës. Loja pati shumë rritëm, ndërsa në 45 minutat e dyta u “zgjua” edhe Teuta, por pa forcën e duhur për të pretenduar. Kualitetet e Flamurtarit bënë diferencën kundër një Teute krejtësisht të rinovuar. Por duhet thënë që Teuta udhëtoi drejt Vlorës me dy mungesa shumë të rëndësishme, sikurse janë ato të mesfushorëve Cyrbja dhe Hodo, të cilët nuk ishin në gjendje për të ndihmuar skuadrën.
Lojtarët po punojnë intesivisht dhe gjatë kësaj jave me shumë gjasa do ti bshkohen grupit. Hodo është një nga lojtarët kyç në mesfushën e Teutës dhe me eksperiencën e tij i jep siguri skuadrës përpara mbrojtjes. Për Hasan Likën nuk ishte një ndeshje pozitive, ndonëse evidenton se skuadra dha sinjale, sidomos në pjesën e dytë. Trajneri i Teutës, analizoi me detaje 90-minutëshin në Vlorë, ku theksoi se dy golat e pësuar erdhën si pasojë e gabimeve individuale në mbrojtje.
“Nuk ishte fillim i mbarë, gabimet individuale në mbrojtje u shoqëruan me dy gola të shpejtë të Flamurtari, që na vështirësuan jo pak punën. Reaguam në pjesën e dytë, mund të kishim barazuar, pasi krijuam disa raste, siç ishte edhe ai i Rafaelit. Por nga ana tjetër më vjen mirë që nuk pësuam golin e tertë, kjo për meritë të portierit tonë dhe për paaftësi të kundërshtarët në finalizim. Në pjesën e dytë kundërshtari u tërhoq, pasi ndoshta mendoi se ishte më i qetë. Mirëpo ekipi, përtej përpjekjeve, nuk arriti që të shfaqej rrezikshëm, pra të bënte atë që ne presim prej tyre. Kjo ishte një provë jo pozitive, pavarësisht sinjaleve të mira që mora nga lojtarët. Ne jo vetëm nga Flamurtari, por ndaj çdo kundërshtari synojmë maksimumin. Por duhet të përmirësojmë shumë nga loja individuale dhe dihet që ekipi ynë është i rindërtuar, pasi janë afruar shumë lojtarë të rinj. Megjithatë dihet që edhe prurjet duan kohën e tyre për t’u kolauduar”, – tha fillimisht tekniku. Më tej ai komenton gjendjen e lojtarëve dhe në veçanti të sulmuesit të ardhur nga Partizani. “Ne kemi pretendimet tona, por ato do t’i arrijmë vetëm nëse lojtarët të bëjnë në fushë atë që japin edhe në stërvitje. Kanë treguar rritje, por kemi ende vend për përmirësim. Magalhaes? Nuk ishte në ditën e tij më të mirë, por duhet theksuar që as nuk u shërbye. Por nuk kemi më kohë për të pritur, pasi në kampionat na duhen pikët. Megjithatë, që të shkojmë deri aty, duhet që të ndreqim menjëherë gabimet”, – përfundoi kreu i pankinës durrsake.





