Durrës, 24 Gusht 2014 – Rreth 50% e totalit të kredive të këqia (non performing loans) i përket rreth 300 borxhlive të  mëdhenj, ndërsa gjysma tjetër i përket rreth 28 000 borxhlinjve të vegjël. 

 Një ndarje e tillë është tregues i punës së dobët të oficerëve të kredive dhe eprorëve të tyre. Rendja pas kredive të majme, dhe justifikimi me kolateralin e mjaftueshëm ka sjellë një gjendje të tillë. Në mjaft raste këto prona të patundshme kanë përfunduar në ankand dhe shpeshherë nuk ka pasur blerës për to edhe kur kanë dalë në ankand me vlerë minimale të ulur.

 Në këtë kontekst përmendim rastin e përmbaruesi privat EPSA, që ka nxjerrë në ankand një hotel 3 katësh pronë e firmës debitore Roger SHPK. Kjo pasuri përbëhet nga 24 apartamente dhe dy njësi shërbimi. Hoteli gjendet në Kompleksin Tropikal në zonën e Plepave në Plazhin e Durrësit. Apartamentet dhe njësitë e shërbimit në përbërje të këtij kolaterali mund të shiten edhe vec e vec. Ankandi fillon me vlerën 633 654 euro.

Ky hotel del në ankand për të mbuluar një kredi të keqe me vlerë një milion euro të firmës Roger SHPK të marrë në Bankën Raiffeisen Sh.A.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/