• Transaksionet financiare të dyshimta për blerje dhe instalim pajisjesh 
  • Emërimet krahinore në SHISH 

Durrës, 24 gusht 2014 – Shtohen dyshimet rreth veprimtarisë së Shërbimit Informativ Shtetëror, pas shkarkimit të beniaminit të amerikanëve, Bahri Shaqiri, nga dyshja Berisha-Nishani dhe zëvendësimit të tij me të besuarin e familjes, konkretisht Visho Likën, krahu i djathë i Gazidedes në SHIK-un famëkeq të ’96, personazh me të kaluar të dyshimtë si dhe i ekspozuar ndaj shërbimeve jo partnere. Dy vitet e fundit, kur kanë plasur akuzat për përgjime, institucioni kryesor i sekreteve në Shqipëri, ka shpenzuar shuma të mëdha për blerje pajisje përgjimi dhe mjete të tjera logjistike. 

Në një kohë kur informacionet për bandat e tritolit, celulat terroriste dhe trafikun e drogës, sipas Ministrisë së Brendshme kanë qenë të pakta, vihet re një rritje e shpenzimeve për blerje të pajisjeve të shpenzimeve. Ndërkaq, sipas transaksioneve të zbardhura nga gazeta SOT, Aparati Qendror i Shërbimit Informativ Shtetëror në Tiranë, ka instaluar aparaturat e përgjimit në zyrat e Radio Televizionit Shqiptar. Vetëm për tetë muajt e parë të vitit 2014, Shërbimit Informativ Shtetëror, i ka paguar Drejtorisë së Përgjithshme të Radio Televizionit Shqiptar 12 milionë lekë pqë qiranë e instalimit të aparaturave dhe pajisjeve speciale në ambientet e Radio Televizionit Shqiptar. Nga përshkrimi i faturave dhe transaksioneve, dalin në pah urdhrat e Visho Likës, shpenzime mujore për instalimin e pajisjeve etj. Përpos vendosjeve të aparaturave, SHISH ka marrë me qira edhe ambiente të Radio Televizionit Shqiptar, për t’i përdoruar për misione specifike.

Ndërkaq, Po gjatë vitit, 2014, eksponentë të kupolës së Shërbimit Informativ Shtetëror, kanë kryer 15 udhëtime jashtë shtetit, duke shpenzuar 20 milionë lekë. Një pjesë e udhëtimeve mbahen sekret, ndërsa të tjerat zbardhen në urdhërat e Visho Likës. Ndërkaq, Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka ngritur një grup kontrolli, për të verifikuar dhe kontrolluar ligjshmërinë e veprimtarisë së Shërbimit Informativ Shtetëror, në raport me përgjimet, emërimet dhe tenderat.   

Zyra në Aeroportin e Rinasit   

Kreu i spiunazhit shqiptar, Visho Ajazi Lika, ka ngritur një zyrë dhe celulë survejues në Aeroportin e Rinasit, për të survejuar dhe identifikuar të gjitha lëvizjet e dyshimta, të elitës politike, mediatike, personazheve të biznesit, personave të ekspozuar ndaj krimit etj. Vetëm disa javë më parë, burime të konfirmuara pohuan se SHISH ka kryer përgjime në mënyrë të paligjshme dhe pa autorizim, gjatë vitit 2013 deri në muajin e shkuar të vitit 2014, atëherë kur nisën edhe denoncimet e para në media, të politikanëve të ndryshëm, se po përgjoheshin nga SHISH.   

 “Shtëpia e Gjetheve”  

Disa ditë më parë, mazhoranca qeverisëse ka shkrirë një bazë famëkeqe terrori, torture dhe zhdukjesh, fillimisht të Sigurimit të Shtetit dhe më pas të Shërbimit Informativ Kombëtar. Bëhet fjalë për një bazë të SHISH e quajtur “Shtëpia me Gjethe” dhe “Shtëpia e Gjetheve”, e njohur ndryshe edhe me pseudonimin “Gjethi”. Ky objekt, ndodhet në Tiranë përballë kishës ortodokse, i mbuluar nga degët e pemëve, ndaj njihet nga qytetarët e Tiranës si “Shtëpia me Gjethe”. Pikërisht në këtë banesë, ndodhen disa nga zyrat e Shërbimit Informativ Shtetëror, të përdorura nga SHIK-u famëkeq si bazë për përgjime politike, tortura dhe terror mbi qytetarët. Për vite me radhë godina me emrin sekret “Gjethi” në rrugën “4 Shkurti” ishte një nga bazat kryesore të Sigurimit të Shtetit.    Grupi për kontrollin e SHISH    Grupi i kontrollit, i miratuar nga Komisioni i Sigurisë dhe që ka zbarkuar prej disa javësh në zyrat e Shërbimit Informativ Shtetëror, institucionit më misterioz dhe të errët në Shqipëri, ka gati raportin për veprimtarinë e kreut të spiunazhit shqiptar. Tre deputetët e Partisë Socialiste, të ngarkuar për hetimin e shefin e spiunazhit shqiptar, Visho Ajazi Lika, kanë përfunduar me konkluzionet. Sipas burimeve, konkluzionet e raportit pritet t’u japin përgjigje akuzave dhe dyshimeve për përgjimin e qeverisë “Rama” për llogari të Sali Berishës, për rikthimin e shikasve të Gazidedes në kupolën e SHISH, për dekonspirimin e shkresave sekrete, për raportim tek Sali Berisha, për përgjimin e krerëve të Policisë së Shtetit, për mungesë bashkëpunimi me Ministrinë e Brendshme etj.   

Emërimet krahinore në SHISH   

1 . Korab Axhemi, drejtor i SHISH Kukës, nga Kukësi

2 . Fatmir Canga, drejtor i SHISH Shkodër, nga Dibra

3 . Kreshnik Selimi, drejtor i SHISH Lezhë, nga Tropoja

4 . Bardhork, Gega, drejtor i SHISH Dibër, nga Mirdita

5 . Tonin Prendi, drejtor i SHISH Durrës, nga Mirdita

6 . Besnik Basha, drejtor i SHISH Tiranë, nga Kukësi

7 . Edmond Mulaj, drejtor i SHISH Korçë, nga Tropoja

8 . Adnan Kodra, drejtor i SHISH Vlorë, nga Dibra

9 . Arjan Gjonaj, drejtor i SHISH Lushnje, nga Mirdita  

Katapultimet nga institucionet e tjera  

1 . Pjetër Gjonpalaj

2 . Ardi Venediku

3 . Ardit Gjymishka

4 . Mark Kuli

5 . Gramoz Vasha

6 . Eduard Liçaj

7 . Ali Ndreu

8 . Skënder Muja

9 . Fatmir Pjetri

10. Anxhela Ballati 

/Gazeta SOT/