Durrës, 23 gusht 2014  – Në datë 15 gusht policia kufitare e portit të Durrësit arrestoi shtetasi italian Vito Onofrio Salerno, 50 vjeç, sepse sipas autoriteteve shqiptare ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle.

Sipas policisë shqiptare, drejtësia spanjolle e kishte dënuar Salernon më datë 08.07.2014, me 17 vite burg për veprën penale “Krijimi i organizatave kriminale në bashkëpunim dhe krime të lidhura me drogën”.

Italiani i kapur në Durrës dyshohej se ishte një trafikant ndërkombëtar droge.

Por e vërteta qëndron komplet ndryshe, po t’i referohemi disa medieve lokale italiane, të cilat sqarojnë se në rastin Salerno është bërë fjalë për një gabim.

Vito Onofrii Salerno, banor i Brindizit, në 15 gusht, zbriti nga trageti në Durrës, sepse ai dhe disa miq të tij donin të festonin ditëlindjen e 50 vjeçarit në Shqipëri. Por gjithçka kishte organizuar grupi i italianëve u përmbys kur policia kufitare e Durrësit e arrestoi Viton, tregtarin e zarzavateve, në bazë të një mandati arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Interpol Madridi.

Pas arrestimit, avokatët e Vitos vunë në lëvizje policinë italiane dhe spanjolle duke provuar se personi i shpallur në kërkim nga policia spanjolle nuk ishte Vitoja në fjalë.

Ai kishte ditëlindje, vendlindje dhe atësi të ndryshme nga 50 vjeçari Salerno që kaloi ditëlindjen në birucat e paraburgimit të Durrësit.

Pas sqarimit të kësaj ngjarjeje të pakëndshme, pas tre ditësh Vito do kthehet pranë familjes së tij.

Aventura shqiptare i kushtoi shumë tregtarit italian. Ndërkohë mediet e vendit të tij i kërkojnë ndjesë familjes për publikimin e lajmit të arrestimit. Ato citojnë medien shqiptare Shqiptarja.com si burim informacioni për këtë arrestim që më pas nuk u sqarua se bëhej fjalë për një gabim.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/