(Vijon nga opinioni i datës 22 gusht) 

Nga Gjergj Thanasi

Durrës, 23 gusht 2014– Përsa i përket sigurisë së vizitës së Papa Franceskut në Shqipëri, me doemos duhet llogaritur edhe “sfinksi“ Berisha. Gjatë aferës së armëve kimike siriane ai pati kurajo të përballej direkt me Shtëpinë e Bardhë duke u çuar mesazhin se për Shqipërinë dhe shqiptarët në Ballkan duhet bërë pazar edhe me të. Në të kundërt, ai është i aftë të të dështojë çdo projekt edhe duke qenë një nga 140 deputetët e opozitës. Berisha zbaton parimin e fon Klauzeviçit. Ai përpiqet të korrë edhe aty, ku nuk mbjell. Një dështim apo incident gjatë vizitës papnore automatikisht ofron argument për tezën berishiane se Rama kryeministër nuk di të qeverisë. Rama i nxin faqen Shqipërisë në shkallë planetare. Rama kryeministër e zhbën rolin e Shqipërisë si vend partner dhe aleat në çështjet e sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare. Duke e njohur nga afër Berishën, jam i bindur se ai, edhe po nuk mbolli, me siguri nuk do rrijë dot pa hedhë një grusht ure apo DAP, që “bima“ të rritet sa më shumë dhe sa më shpejt për të siguruar efekte maksimale anti Ramë. Institucioni i SHIK-ut në duart e Vishos së “Teta Ollgës“ ruse është një instrument jo vetëm në duart e deputetit Berisha, por edhe të rezidenturës.

Zonja, që në vitin 1999 shërbente si përkthyese dhe kalorifer shtrati për gazetarët italianë, që mbulonin luftën në Kosovë, nuk ka as vullnet, as tru dhe as takat për t’ia ndalur dorën Vishos dhe padronëve të Vishos nga Vuçidoli në Ljubjanka. Nëse këtij fakti i shtojmë edhe rekrutimin në SHIK të elementëve kriminalë, që për një gomë vrasin me gjak të ftohtë gomistin, nëse shtojmë dhe rekrutimin e halabakëve, që të pirë tapë rrihen nga pronarët e lokaleve si gomari në duhan, atëhere edhe një jo specialist e kupton se në çfarë derexheje është katandisur siguria e vizitës së Papa Franceskut në Shqipëri.

Sikur të analizojmë edhe hallkat e tjera të sigurisë në Shqipëri, tabloja bëhet më e zymtë. Fjala vjen paratë e pista të terroristëve nuk ka shans t’i zbulojë e frenojë, një copë ish doganieri, që si meritë të vetme ka edhe qënien goxha mbi mesataren e doganave të epokës Nano përsa i përket marrjes së rryshfetit. Në këtë kontekst nuk duhet të harrojmë se njohuritë e zonjushës Spiropali, drejtoreshës aktuale të doganave, përsa i përket aspekteve të sigurisë kombëtare mund të karakerizohen fare mirë duke përdorur proverbin: Ku di dhia, ç’është tagjia.

Një farë kurioziteti cinik më shtyn të përpiqem të përfytyroj sesi 50% e efektivëve të policisë shqiptare, që duhet të jenë femra sipas vizionit Rama, do të arrijnë të neutralizojnë terroristët e argasur në beteja. Po ashtu dëshiroj të përfytyroj sesi policët djemka me biçikleta e pantallona të shkurtra do të përleshen me terroristët e Kalifatit Islamik!!!!!!!!!! Qofsha i gabuar, por edhe djemtë e RENEA-s sikur nuk stërviten si më parë dhe kanë filluar të vënë bark si ca kryetarë komunash, kur mbërrijnë në mandatin e tretë ose të katërt. Shtoji kësaj mungese të kapaciteteve njerëzore edhe një pjesë të harduerit të kohës së qepës dhe fitorja ndaj terroristëve është e siguruar. Nuk dekonspiroj ndonjë sekret, kur shkruaj se forcat speciale shqiptare ende përdorin helikopter Alouette II apo xhip të blinduar Benz-Mercedes, të blerë me paratë e kontrabandës së cigareve në kohën e Hekuran Isait, nja 30 vjet më parë. Autoblindat zvicerane Piranha I të specialistëve tanë po ashtu e kanë vendin në muze, jo në vijën e parë të frontit të luftës antiterror. Tashmë edhe furgonat e  blinduara FIAT gradualisht po bëhen obsoleshentë, jo më kot Italia I ka zëvendësuar me blinda VTLM  Lince, me të cilat është pajisur edhe policia copë-copë e Libisë së epokës post-Gadaf. Si konkluzion mund të konstatojmë plot sarkazëm se, kur çalojnë njerëzit, çalojnë dhe pajisjet fitorja pa dyshim që është e sigurtë.

Në aspektin ndërkombëtar siç e ceka dhe më sipër kushtet kanë marrë një trend të tipit keq e mos më keq. Rusia e sotme nuk është më Rusia e falimentuar e Jelcin pijanecit, por një ari siberian i zgjuar nga gjumi letargjik dhe i kontrolluar rreptësisht nga  një shilovik si Putini. Kjo Rusi me ambicie imperiale sot i ka hapur NATO-s dhe SHBA-së betejë nëpërmjet veglave të saj në brigjet e Lumit Dnjepër. Është aksiomë, që nëse do fitore në front, hapi telashe kundërshtarit në prapavijë. Sot Rusia putiniane po i hap telashe perëndimit në prapavijën e afërt në lumenjtë Dnjestër Prut dhe San. Është një arsyetim logjik i shëndoshë të besosh, që fare mirë mund t’i hapë telashe SHBA-së edhe në prapavijën e largët në brigjet e Detit Adriatik. Jo më kot, Çurçilli i madh Perden e Hekurt e shtrinte nga Shcecini i Polonisë deri në Adriatik. Cari i ri në Kremlin është nostalgjik për  arritjet staliniane në krijimin e perandorisë komuniste. Me profesionistë të rangut të lartë si diplomati Valeri Ksendzov në Ambasadën e Federatës Ruse në Tiranë thuajse çdo objektiv i Moskës bëhet i arritshëm edhe sikur ta marrim të zeruar trashëgiminë e influencës staliniane-hrushoviane të nënave dhe baballarëve të pushtetarëve aktualë të majtë.

Lexuesi mund të thotë, që punë e madhe se fundi i fundit aleatët tanë, veçanërisht kryealeati amerikan, do të na i zgjidhë këto telashe të sigurisë kombëtare duke na nxjerrë faqebardhë me vizitën e Atit të Shenjtë këtë shtator. Ndoshta, ama vetëm ndoshta. Fatkeqësisht edhe në këtë drejtim gjërat kanë precipituar për keq, përsa i përket faktorit njerëzor. Nëse do krahasojmë homologun e sotëm të Francis Dawlong-ut me Fransisin e vizitës së papa Gjon Palit të Dytë është si të krahasosh një velisoraptor me një zhapik Tërbufi.  Madje, madje edhe homologët e sotëm të zotit Di Lorenzo nuk të ngjallin hiç besim si profesionistë të hajrit. Shumë, shumë ato të kujtojnë personazhet e filmit komik “Benvenuti al Sud”.

Si përfundim mund të themi, që ekziston motivi, dëshira, parakushtet e nevojshme dhe mundësia, që xhihadistët shqiptarë të shfrytëzojnë një ngjarje me rëndësi botërore – vizitën e Papa Franceskut – për të treguar aftësitë globale të Kalifatit Islamik, jo thjesht për të goditur perëndimin, por edhe si shprehje e konkurencës së brendshme në kostelacionin e organizatave terroriste. Nënteksi për radikalët islamikë në mbarë botën do jetë i qartë: Al Kaeda dhe Al Zauari janë e shkuara e ekstremizmit islamik, ndërsa Kalifati Islamik është e sotmja dhe e ardhmja. Shkurt puna, vizita e Papa Franceskut mundet fare mirë t’i shërbejë Kalifatit Islamik si fushatë PR për rekrutimin e xhihadistëve të rinj sidomos e atyre me të kaluar evropiane dhe amerikane.

(Pjesen e pare te ketij opinioni mund ta lexoni ne http://www.durreslajm.com/opinione/ka-takat-kryeministri-rama-t%C3%AB-siguroj%C3%AB-vizit%C3%ABn-e-pap%C3%ABs)

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/