DURRËS, 19 gusht 2014 –  Në portin e Durrësit matet “temperatura” e ekonomisë shqiptare në tërësi për shkak të vëllimit kryesor të tregtisë së jashtme që kryhet këtu, ndonëse mungojnë të dhëna për llojin e mallrave për eksport dhe të importuara me kontejnerë dhe tragete, por jepen “toptan” në tonë, teksa zërat “kontejnerët” dhe “tragetet” zënë mbi 55 për qind të vëllimit të punës.

“Dyrrah”-u, mbështetur në statistikat zyrtare që iu vunë në dispozicion nga drejtoria e përgjithshme ekzekutive e  Autoritetit Portual Durrës (APD), po paraqet një analizë të vëllimeve të punës për periudhën më të përditësuar, atë të 7-mujorit 2014; gjithashtu për t’u ardhur në ndihmë dhe kolegëve dhe ekspertëve të ekonomisë, shkrimi shoqërohet dhe me faksimilet e tabelave e grafikëve të hartuar nga APD-ja.

Muaji korrik 2014 në portin e Durrësit shënoi një diferencë të dukshme në importet në krahasim me korrikun e vjetshëm, me 25 733 tonë më pak (14 për qind), saqë dhe tejkalimi me 10 për qind (17 155 tonë), nuk e mposhti dot mosrealizimi në total me 8 578 tonë më pak (2 për qind).

Por tejkalimet në muajt paraardhës të vitit 2014 bënë që 7-mujori 2014 të ishte më pozitiv se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Kështu si periudhë janar-korrik 2014 u realizua një vëllim gjithsej prej 2 168 515 tonë, ose 66 670 tonë më tepër (3 për qind) se 7-mujori 2013.

Por në invers paraqitet eksporti që është realizuar 99 për qind (999 578 tonë sivjet nga 1 002 191 me një diferencë prej 2 613 tonë më pak), por ka një tejkalim prej 69 284 tonë (6 për qind) në importe.

EKSPORTET

Duke bërë një analizë të shifrave të eksportit për periudhën 7-mujore 2014, dalin në pah “tekat” e ekonomisë, sidomos asaj nxjerrëse.

Nëse në 7-mujorin 2013 janë eksportuar 110 687 tonë hekur-nikel, në vitin 2014 shifra paraqitet me zero ton dhe nuk është pak!

Por është më mirë kromi: sivjet janë eksportuar 86 326 tonë, kundrejt 36 277 tonë në 7-mujorin 2013,; po ashtu në vitin 2014 janë eksportuar edhe 2 820 tonë koncentrat kromi.

Më mirë ka ecur industria e materialeve të ndërtimit: janë eksportuar 123 953 tonë klinker kundrejt vetëm 15 306 tonë në 7-mujorin e vjetshëm me një diferencë prej 108 647 tonë; çimentoja me thasë, që është eksportuar në nivelin 91 322 tonë kundrejt 79 703 tonë në 7-mujorin e vjetshëm; ndërkaq ka pasur një rënie në eksportin e çimentos rinfuso (e paambalazhuar) në nivelin e 49 360 tonëve nga 80 418 tonë në 7-mujorin 2013.

Nga metalurgjiku i “Kurum”-it në Elbasan janë eksportuar mbi dyfishi i vjetshëm: 72 954 tonë kundrejt 34 085 tonë vjet me një         diferencë prej 38 869 tonë llamarinë, prokat.

Por ka pasur një vëllim dukshëm më të ulët në kontejnerët (nuk dihet lloji i mallrave ashtu si dhe me tragetet) në vitin 2014 janë realizuar 354 643 tonë, teksa në 7-mujorin e vitit të kaluar kjo shifër ka qenë 439 859 tonë, ose 85 216 tonë më pak.

Me tragetet është ky raport: 180 743 tonë sivjet nga 171 849 tonë 7-mujorin e vjetshëm, por jo lloji i mallrave.

Në këtë rast nuk mund të mësohet realisht struktura e mallrave të eksportit me kontejnerë dhe tragete për të qenë më të saktë në analizë dhe pse këto mallra “të panjohura” me kontejnerë dhe tragete për vitin 2014 zënë rreth 54 për qind të vëllimit gjithsej në eksporte.

Për shembull cila është prirja e industrisë me materila porositësi (fasonët), kjo nuk del në statistikat e portit, thjesht nuk raportohet nga dogana.

IMPORTET

Mallrat kryesore të importit janë ushqimet, koksi, çimentoja, melanina, etj.

Megjithatë të dhënat e mëposhtme kanë të bëjnë me mallrat e përgjithshme të përpunuara nga anijet, pasi nuk dihet se ç’lloj mallrash janë në kontejnerët plot prej 402 745 tonë sivjet kundrejt 393 934 tonë 7-mujorin e vjetshëm me një diferencë prej 8 811 tonësh; dhe në tragetet ku është realizuar një vëllim prej 250 286 tonë kundrejt  244 917 tonë vjet ose 5 369 më tepër (shënojmë se për vitin 2014 kontejnerët dhe tragetet kanë sjellë së bashku 653 031 tonë nga 1 168 936 tonë totali i importeve, ose  56 për qind e këtyre të fundit).

Në grupin e mallrave ushqimore me anije vërehet se në vitin 2014 janë importuar më pak se 7-mujorin e vitit të kaluar; kështu në grurë është realizuar një vëllim prej 101 448 tonë nga 109 686 tonë vjet ose 8 238 tonë më pak; në misër u realizua një vëllim prej 3 070 tonë, kundrejt 10 314 tonë vjet ose 7 244 tonë më pak;  bie në sy se sivjet nuk është importuar nëpërmjet portit të Durrësit asnjë kg sheqer, kur 7-mujorin e vjetshëm u importuan 11 196 tonë.

Ndër importet më të “rënda: janë koksi me 116 023 tonë në vitin 2014 nga 105 229 tonë vjet; çimentoja rinfuso me 34 698 tonë nga vetëm 3 221 tonë në 7-mujorin e vjetshëm; plehra kimike 38 563 tonë nga 28 944 tonë vjet; nitrat-ure 24 232 tonë nga 16 180 vjet; melaminë 35 595 tonë nga 20 224 tonë vjet etj.

Fotoja kryesore: Mirësjellje e z. Leonard Xhoxhi

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/